Atletico Madrid dhe Marseille në finalen e Kupës së Vogël të Europës

Atletiko Madrid-Olimpik Marseje. Kjo do të jetë finalja e Kupës së Vogël të Europës e cila do të luhet në Lion me 16 maj.
Ndeshjet e kthimit gjysmëfinale nuk rezervuan surpriza në raport me atë që pritej. Spanjollet eksperte në kompeticionet europiane ne të paktën 10-15 vitet e fundit ia dolën të fitojnë 1 me0 në shtëpi kundër arsenalit dhe gjeten finalen e UEFA Europa League pasi në takimin e parë në Londër kishin barazuar 1 me 1.
Me Diego Simeonen në tribunë i pezulluar, Los Colchoneros treguan se në fushën e tyre janë një bunker i vërtete pasi nuk kanë pasuar asnjë gol në 12 ndeshjet e fundit radhazi.
Ndërsa Arven Venger e mbylli karrierën 22 vjeçare ne krye te topçinjve pa mundur të fitojë trofe në Europian e pa e kualifikuar ekipin ne Champions.
Në pjesën e parë pavarësisht qarkullimit më të mirë të topit nga anglezet rastet e krijuara në portën e madrilenëve ishin të pakta dhe jo të rrezikshme ndërsa në krahun tjetër Koke dhe Griezman tentuan të realizojnë por goli do të vinte vetëm në fund të pjesës së parë nga Diego Kosta pas një pasimi të dhënë pikërisht nga Griezman.
Në pjesën ë dytë rastet në të dyja portat nuk munguan por perfeksioni taktik dhe shpirti i garës i skuadrës së Simeones ia doli përballë fantazisë dhe nivelit teknik të anglezeve.
Kundërshtar në Lion, tashmë madrilenët do të kenë francezet e Olimpik Marseje të cilët kaluan mes shumë polemikash pas shtesave ndaj Salzburgut.
Austriaket ishin të shkëlqyer në 90 minuta duke fituar 2 me 0 me golin e Haidara dhe autogolin e Sarr, rezultat me të cilin marsejezet kishin fituar sfidën e parë.
Ndeshja shkoi në shtesë por episodi që vendosi këtë duel solli tension të madhe pasi gjithçka lindi pas një gabimi trashanik të gjyqtareve të cilët në minutën e 116 dhanë një goditje nga këndi të paqenë për Olimpik Marseje.
Nga kjo korner u realizua edhe goli vendimtar i Rolandos që çoi në finale të Kupës së Vogël të kontinentit Marsejën, ndërsa Salzburgu i Valon Berishës del jashtë ndoshta me pa të drejte.




