Policia e Shkodrës ka asgjësuar 4639 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa në të gjithë qarkun në kuadër të operacionit “Koordinata”.
Tre persona, të cilët dyshohet se kanë kultivuar 780 bimë narkotike në fshatin Bajzë dhe kanë lidhur në mënyrë të kundërligjshme energjinë elektrike në një banesë në funksion të kësaj veprimtarie kriminale janë shpallur në kërkim.
Ndërsa 5 kryetarë fshatrash janë proceduar penalisht për shpërdorim të detyrës dhe moskallëzim të krimit, dhe 2 shtetas, për moskallëzim të krimit.
Si rezultat i kontrolleve:
-në territoret e njësive administrative Shosh dhe Pult, shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër gjetën dhe asgjësuan 3092 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa. Në vijim të veprimeve procedurale, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për kryetarët e fshatrave Gimaj, Vuksanaj dhe Nicaj, shtetasit P. Sh., K. Gj. dhe M. M., për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Moskallëzimi i krimit”; për shtetasin P. D., për veprën penale “Moskallëzimi i krimit.”
-Në territorin e njësisë administrative Kastrat, shërbimet e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe, në bashkëpunim me shërbimet e DVKM Shkodër, gjetën dhe asgjësuan 1274 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa. Në vijim të veprimeve u shpallën në kërkim shtetasit A. M., 57 vjeç, R. M., 30 vjeç, dhe R. M., 24 vjeç, banues në Bajzë, pasi dyshohet se kanë kultivuar 780 bimë narkotike që u gjetën në fshatin Bajzë dhe kanë lidhur në mënyrë të kundërligjshme energjinë elektrike në një banesë që kishin në përdorim, e vënë në funksion të kësaj veprimtarie kriminale. Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për kryetarët e fshatrave Bajzë dhe Hot, shtetasit P. K. dhe A. H., për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”; për shtetasin P. S., për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.
-Në territorin e njësive administrative Shllak dhe Temal, shërbimet e Komisariatit të Policisë Vau i Dejës gjetën dhe asgjësuan 273 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa.
Vijon puna për identifikimin, kapjen dhe vënien para përgjegjësisë penale të autorëve të kultivimit të bimëve narkotike./vizionplus.tv





