Bledar Çakalli, aktivist dhe artist i muraleve me figura historike, në 112-vjetorin e Pavarësisë ishte i ftuar në studion e “Quo Vadis”, në Vizion Plus, nën moderimin e Pranvera Borakajt.
Artisti tha se është përballur me racizëm në shtetin grek për shkak të origjinës shqiptare. Megjithatë ai tha se kurrë nuk pranoi që të ndërronte emrin, ashtu si shumë emigrantë shqiptarë bënë në vitet e para kur emigruan në shtetin grek.
Bledar Çakalli: Për fat të keq në shtetin grek e kam ndjerë më shumë racizmin e të qenit shqiptar. Kjo ndikoi më shumë për mirë. Ka shumë shqiptarë që nuk e dinë historinë. Në momentin që unë ndihesha inferior ndaj grekëve dhe ndjeja racizëm, unë futesha studioja nga vija dhe kush jam. Arritëm në ditët e sotshme…është për të ardhur keq që jemi aq pak.
Pranvera Borakaj: Cili është episodi racist që ka lënë më shumë gjurmë te ty. Sa vite ke qëndruar në Greqi?
Bledar Çakalli: Tentativa për vite me radhë që të ndryshoja emrin. Nuk arritën dot.
Pranvera Borakaj: Kishte kosto kjo për ty?
Bledar Çakalli: Në momentin që ti pranon të ndryshosh emrin ke ndryshuar shumë gjëra. Je i shitur. Shteti grek e di këtë. Një shqiptar që pranon të ndryshojë emrin, nesër pasnesër do ndryshojë diçka tjetër dhe futesh në lojën e atyre, në politikën e atyre që të ndryshosh kombësi pastaj.
Pranvera Borakaj: I ke paragjykuar ti shqiptarët e tjerë që kanë ndryshuar emrin?
Bledar Çakalli: Deri diku nuk mund t’i vë faj, por është gabim, është shumë gabim. Nuk mund të shitet gjaku./vizionplus.tv





