Subscribe

Arrestohet në Londër, Harry Simpson, një prej autorëve të dyshuar të vrasjes së biznesmenit Ardian Nikulaj në Shëngjin, më 19 prill të këtij viti.

 

32- vjeçari ishte personi i fundit që i kishte shpëtuar prangave të policisë britanike, pasi më herët janë arrestuar edhe katër të përfshirët e tjerë në ngjarjen që tronditi Lezhën. Tashmë pritet qe ai të ekstradohet drejt Shqipërisë, pasi Gjykata e Lezhës ka caktuar masën e sigurisë, arrest në burg, për disa vepra të rënda penale, si “Vrasja për gjakmarrje”, kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtje pa leje e shpërthim i municioneve”.

 

Biznesmeni Ardian Nikulaj u vra brenda lokalit të tij “Coral”, e sipas policisë, vrasja është bërë me porosi të Edmond Haxhisë, i cili është djali i dajës së Elton Lekstakajt, një fis me të cilin viktima ka qenë në hasmëri të vjetër.

 

Autori i që kreu krimin, portugezi Ruben Saraiva, e kishte gjurmuar viktimën, për afro 3 muaj rresht, ndërsa me 19 prill hyri brenda lokalit me skafandër motori dhe jelek fosforeshent, përshëndeti e më pas ekzekutoi me 7 plumba Ardian Nikulaj. Saraiva, 28 vjeç, është arrestuar në Marok për llogari të shtetit shqiptar, 19 ditë pasi qëlloi për vdekje 51-vjeçarin, por ende nuk dihet nëse do të ekstradohet për shkak të mungesës së një marrëveshjeje .

 

Ndërsa tre anglezët, Tomas Mithan, Steven Hunt dhe vajza Harriet Bridgeman, të kontaktuar nga Edmond Haxhia, ishin akomoduar në hotelin e viktimës, dhe kanë patur rolin e vëzhguesit të lëvizjeve të Nikulajt, informacione të cilat ia jepnin Ruben Saraiva-s për të kryer atentatin mafioz.

 

Organizatori i krimit, Edmond Haxhia, i priti autorët në një zonë të errët pa shumë ndriçim, në aeroportin e Rinasit. Pamjet e kamerave të sigurisë i tregojnë ata duke dalë dhe duke folur ne telefon, në mënyrë që të orientoheshin. Grupi i vrasësve, i shpallur në kërkim ndërkombëtar, është zbuluar nga një mjet tip “Passat” i marrë me qira, që është përdorur nga britaniku dhe portugezi te cilet realizuan vrasjen.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *