Personi që shikoni në foto është Kristian Buci, një nga furnizuesit e kokainës në disa zona të Tiranës.
Ka qenë Antidroga e Tiranës e cila pas një hetimi disa mujor përmes përgjimeve dhe blerjeve me stimulim, ka dokumentuar aktivitetin e 22-vjeçarit në shitjen dhe shpërndarjen e lëndëve të forta narkotike.
Ai është arrestuar në flagrancë në parkimin e brendshëm të QSUT, teksa kishte lënë një takim për të shitur drogën e radhës. Pasi është vënë në pranga, efektivët ushtruan kontroll në banesën e tij ku i kanë gjetur rreth 900 gramë kokainë si dhe municione luftarake.
Burime bëjnë me dije se i riu prej disa kohësh ishte i përfshirë në këtë aktivitet. Kristian Buci kishte rolin e furnizuesit të shpërndarësve më të vegjël. Ai shiste kokainë, mesatarisht nga 10 deri në 20 doza.
Lëndën narkotike e blinin shpërndarës të tjerë që e tregtonin më pas në klientë të ndryshëm. Kryesisht drogën ai e shiste në afërsi të QSUT, Freskut dhe në afërsi të Shkollës së Bashkuar. /vizionplus.tv





