Arrestohet presidenti koreano jugor, qindra policë çanë rrethimin e rezidencës presidenciale

Presidenti i pezulluar i Koresë së Jugut u arrestua herët mëngjesin e kësaj të mërkure, duke i dhënë fund përplasjes së javëve të fundit mes mbështetësve të tij dhe autoriteteve.
Yoon Suk Yeol, i cili bëhet presidenti i parë në detyrë që vendoset në pranga në Korenë e Jugut po përballet me akuza për kryengritje pas përpjekjes së tij jetëshkurtër për të shpallur gjendjen ushtarake muajin e kaluar.
Ai mund të dënohet me vdekje ose burgim të përjetshëm nëse shpallet fajtor.
Presidenti korean tentoi të shmangte arrestimin për javë të tëra duke qëndruar në rezidencën e tij, i mbrojtur nga anëtarët e Shërbimit të Sigurisë Presidenciale që i kishin qëndruar besnikë dhe një numër mbështetësish të tjerë.
Por, sot qindra policë dhe hetues nga Zyra e Hetimeve për Korrupsion rrethuan sërish rezidencën, duke u ngjitur mbi muret rrethuese për tu futur në ndërtesë.
Pas një përballjeje prej afro pesë orësh, autoritetet njoftuan se Yoon ishte arrestuar, ndërsa lideri i shkarkuar publikoi një mesazh të regjistruar paraprakisht, ku thoshte se vendosi të dorëzohej për të shmangur gjakderdhjen në vend.
Në një postim të mëvonshëm në rrjetet sociale, Yoon përsëriti pretendimet për mashtrim zgjedhor dhe foli për kombe armiqësore që po sulmonin vendin, duke iu referuar Koresë së Veriut./vizionplus.tv




