Nga Esido Barkaj 

 

Policia spanjolle ka arrestuar Ismail Zenelin, një nga personat e shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Prokuroria e Posaçme i dyshuar si anëtar i grupit kriminal të goditur më herët, në mesin e të cilit bënte pjesë ish-nëndrejtori i policisë së Tiranës Erzen Breçani dhe biznesmeni Ervin Mata.

 

Pas goditjes së këtij grupi, organet në Shqipëri shpallën në kërkim ndërkombëtar 4 persona, të cilët sipas verifikimeve në sistemin TIMS ndodheshin në Spanjë.

 

Më datë 30 nëntor mësohet se policia spanjolle ka arrestuar Zenelin, i cili pritet që të ekstradohet në Tiranë për t’u përballur me drejtësinë dhe akuzat e ngritura nga SPAK.

 

Sipas dosjes hetimore, Ismail Zeneli është personi që donte të ekzekutonte dy vëllezërit Nela në Britaninë e Madhe. Kjo pasi sipas tij këta të fundit i kishin vrarë vëllain në Angli në vitin 2013.

 

Sipas SPAK, Zeneli për eliminimin e tyre ishte lidhur me ish-efektivin e policisë Dedan Gjoni për t’u informuar në lidhje me lëvizjet dhe vendndodhjen e vëllezërve Nela. Në këtë skemë është e përfshirë edhe ish-zyrtarja e Interpolit Jonida Babameto.

 

SPAK argumenton se Zeneli është i lidhur gjithashtu edhe me trafikun ndërkombëtar të kokainës, bandë e cila drejtohej Ervin Mata dhe nga djali i Erzenit, Eralbi Breçani. Dyshohet se Zeneli ishte porositës dhe financues i drogës në Brazil dhe vendeve të tjera të Amerikës Latine.

 

Para pak ditësh SPAK lëshoi 11 urdhra arresti, ku fillimisht u ekzekutuan 4 prej tyre. Në pranga ranë Erzen Breçani, shefi i krimeve në Komisariatin nr.6 Dedan Gjoni, Bujar Ajezi dhe Besmir Murati të cilët janë në qeli me vendim të Gjykatës së Posaçme.

 

Ndërsa togat e zeza vendosen arrest shtëpie për oficeren Jonida Babameto. Në kërkim janë Ervin Mata, Artan Sulejmani, Albert Prenga, Bajram Grabova dhe Eralbi Breçani.

Në lidhje me arrestimin e Zenelit ja reaguar edhe Policia e Shtetit, e cila e ka cilësuar këtë një operacion të përbashkët me palën spanjolle. /vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *