Subscribe

14 persona u arrestuan nga policia e Durrësit dhe pesë të tjerë u shpallën në kërkim, pasi akuzohen si të përfshirë në një sërë ngjarjesh të rënda kriminale.

 

Ata u ndaluan gjatë operacionit të koduar me emrin “Porositësi”, i cili u shtri në Dibër e Tiranë. Aksioni u ndërmor pas hetimeve të disa ngjarjeve të hershme kriminale si dhe dëshmisë kyçe të dhënë nga dy vëllezërit Indrit dhe Gentian Beqiraj. Ata kanë folur për vrasje dhe atentate që nuk ishin zbardhur ende nga policia.

 

Historia nisi dy ditë më parë, kur dy vëllezërit Beqiraj u përfshinë në një konflikt me disa persona në autostradën Tiranë – Durrës. Gjatë përplasjes, njëri prej tyre u mor peng për disa minuta e më pas u la i lirë pasi policia u vu në ndjekje të autorëve.

 

Ngjarja në fillim u duk rastësore, por më pas rezultoi se dy vëllezërit kishin planifikuar të vrisnin Aleksandër Lahon, i njohur ndryshe si Rumi i Shijakut.

Ky i fundit, së bashku me tre miqtë e tij, njëri prej të cilëve u arrestua nga policia, mori peng për disa minuta njërin nga vëllezërit Beqiraj.

 

SKËNDER HITA

DREJTORI I POLICISË DURRËS

 

“Nga tërësia e veprimeve hetimore u bë dokumentimi i plotë i kësaj ngjarjeje dhe identifikimi i autorëve të saj. Është vënë në pranga njëri prej autorëve dhe janë shpallur në kërkim 3 të tjerë. Gjithashtu u sekuestruan mjetet e përdorura në këtë ngjarje. Në automjetin me të cilin është marrë peng shtetasi I. B. janë gjetur dhe fiksuar prova shkencore.”

 

Hetimet provuan se dy vëllezërit Beqiraj kanë vepruar si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal prej vitit 2021. Ata, në bashkëpunim me Ilirjan Feçin, aktualisht i arrestuar për të tjera krime, si dhe me Kevin Zenelin, i shpallur në kërkim, vepronin si vrasës me pagesë.

 

Kevin Zeneli kishte marrë përsipër ekzekutimin e Geron Hasanbelliut, një vrasje e porositur nga Kasandër Noga. Por, gjatë atentatit në rrugën Don Bosco në Tiranë, ai ngatërroi shënjestër duke vrarë Erion Çelën e duke plagosur katër të tjerë të pafajshëm.

 

Për këto vrasje, Kasandër Noga, aktuakusht i dënuar në Belgjikë, kishte premtuar pagesa nga 50 deri 150 mijë euro.

 

Dy vëllezërit si dhe Kevin Zeneli përgatitën edhe vrasjen e Arben Mërkurit në Sukth, në maj të këtij viti. Por policia di vetëm porositësin, Kasandër Noga, por jo autorin.

 

“Në lidhje me planifikimin dhe marrjen e porosisë për vrasjen e shtetasit A. M., nga hetimet e thelluara rezultoi se 2 vëllezërit kishin siguruar kushtet për kryerjen e vrasjes së tij. Dy vëllezërit ishin porositur nga shtetasi K. Z. dhe kjo vrasje ka ndodhur pak kohë më vonë, por ende nuk është zbardhur plotësisht se nga kush është kryer kjo vrasje.  Nga hetimet e thelluara rezulton se prosositësi i dy vrasjeve të mësipërme është shtetasi K. N., i cili aktualisht është i arrestuar në Belgjikë. Ky shtetas ka porositur shtetasin K. Z., i cili ka paguar dy vëllezërit, për krijimin e kushteve për kryerjen e vrasjeve.”

 

Indrit dhe Gentian Beqiraj pranuan se ishin paguar me 3500 euro edhe nga punonjësi i policisë së burgjeve Flamur Bejko, për të vrarë dy persona me eksploziv, por ky atentat nuk u arrit të bëhej.

 

Gjatë operacionit u sekuestruan tritol, automatike, katër makina, dy prej të cilave te blinduara, dy motoçikleta, kokaine, euro, arme gjahu, thika dhe spraj neutralizues.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *