Subscribe

Prej disa ditësh, autoritetet marokene kanë mbajtur nën vëzhgim Ruben Saraivën, i cili akuzohet nga drejtësia shqiptare si personi që qëlloi me 7 plumba, duke e lënë të vdekur në vend biznesmenin Ardian Nikulaj në Shëngjin.

 

Ende nuk dihet sesi Saraiva arriti që nga Greqia të përfundojë në Marok. Dyshohet se ai ka udhëtuar me avion, pasi kishte siguruar dokumente të falsifikuara. Saraiva është arrestuar në qytetin e Rabat, teksa ishte ulur në një kafene i vetëm. Pas vënies në pranga, policia marokene i ka kërkuar palës shqiptare që të dërgojë dokumentacionin e plotë për praktikat që do të ndiqen, si dhe rrethanat e veprës penale për të cilën ai akuzohet në Shqipëri.

 

Por midis dy vendeve nuk ka një marrëveshje ekstradimi, çka ndërlikon situatën duke lehtësuar pozitën e të akuzuarit për vrasje, që t’i shpëtojë ballafaqimit me drejtësinë në vendin tonë. Megjithatë, Shqipëria dhe Maroku mund të përdorin marrëveshjen e reciprocitetit, praktikë e ndjekur edhe më herët. Burime nga policia sqaruan se po shikohen të gjitha mundësitë, që Saraiva të sillet në Tiranë.

 

Arratia e Ruben Saraivës nuk zgjati më shumë se 19 ditë. Pas krimit, ai arriti të largohej në Greqi nga Kapshtica e më pas të kalonte në Marok, ku kishte disa të afërm.

 

Bashkë me Saraivën, sot në pranga janë edhe organizatori i atentatit, Edmond Haxhia, si dhe 3 bashkëpunëtorët e tij britanikë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *