Nga kjo e enjte, Anglia dhe Skocia do të nisin zbatimin e sistemit të gjurmimit të kontaktit nëpërmjet telefonit. Deri më tani, 25,000 persona e kanë pranuar aplikacionin e shumë diskutuar i cili do të paralajmërojë njerëzit që kanë qenë afër dikujt me Covid-19.

Edhe senati francez e miratoi me shumicë votash përdorimin e këtij aplikacioni gjurmimi i quajtur StopCovid. Pasi dikush rezulton pozitiv ndaj sëmundjes, aplikacioni dërgon një alarm për ata që kanë qenë në kontakt me atë person në mënyrë që ata të izolohen për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të virusit.

Mbrojtësit e të dhënave janë treguar skeptikë duke thënë se qeveritë mund të gjurmojnë informacionin e vendndodhjes, ose të ruajnë të dhënat personale të përdoruesve.

Ndërkohë vendet europiane vijojnë me lehtësimin e masave kufizuese. Qeveria zvicerane do të lejojë tubimet spontane të deri 30 personave, nga dita e shtunë. Nga 6 qershori, do të lejohen të gjitha ngjarjet publike ose private me pjesëmarrjen e deri 300 personave. Kjo masë do të lejojë që zyrat e organizatave të shumta ndërkombëtare në Gjenevë, të tilla si Kombet e Bashkuara, të vazhdojnë punën e tyre.

Shkollat profesionale dhe të mesme si dhe universitetet gjithashtu do të jenë në gjendje të vazhdojnë punën. Ndërsa në Britaninë e Madhe shkollat pritet të hapen më 1 qershor por sindikatat e mësuesve kanë paralajmëruar se është ende herët ndërsa rreth 90% e prindërve në Angli, Uells dhe Irlandën Veriore kundërshtojnë rihapjen e shkollave.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *