Apeli rikthen në burg Oltian Bistrin, ish zyrtari i policisë dënohet me 7 vjet e 4 muaj, mbeten në fuqi vendimet për të tjerët

Shpallet fajtor për korrupsion dhe pastrim parash ish zyrtari i lartë policor, Oltian Bistri. Me vendim të formës së prerë ai u dënua me 7 vjet e 4 muaj heqje lirie, përkundër verdiktit të dhënë nga shkalla e parë me 2 vjet burg vetëm për nxjerrje të sekretit hetimor.
Kështu, Apeli i Posaçëm vendosi që ta rëndojë dënimin e ish shefit të operacionales, e njëherësh të konfiskojë asetet që kanë rrjedhur nga aktiviteti kriminal i dosjes “Metamorfoza”. Tashmë Oltian Bistrit do t’i duhet të rikthehet në qeli për të vuajtur dënimin e mbetur.
Sipas dosjes hetimore ai i ka ardhur në ndihmë grupeve kriminale më informacione që i siguronte nga detyra në policinë e shtetit.
Ndërkaq, për të pandehurit e tjerë të së njëjtës dosje, Apeli la të pandryshuar vendimet. Behar Bajri u dënua me 8 vjet e 8 muaj burg, Astmer Bilali, 5 vjet e 8 muaj, Edmond Preka 7 vjet dhe ish prokurori i Kukësit Xhevahir Lita, 3 vjet e 4 muaj. Metamorfoza ishte dosja e parë e cila u bazua në komunikimet e dala nga Sky Ecc dhe Enchro Chat.Zberthimi i dy aplikacioneve që ka përdorur krimi i organizuar hodhi dritë mbi vite të tëra bashkëpunimi të organizatave me njëra tjetrën, të përfshirjes së zyrtarëve të lartë, policorë por edhe të drejtësisë në shërbim të tyre.
Ligjshmëria e përgjimeve, mesazheve dhe të gjitha të dhënave të dala nga platformat, dikur të koduara e sot te thyera, u shqyrtuan në seancë plenare në Gjykatën Kushtetuese që vendosi për legjitimtetin e tyre.




