Vizita e shumëpritur e ministrit të Jashtëm të Rusisë, Sergei Lavrov, në Serbi është anuluar. Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Bullgaria kanë bllokuar hapësirën e tyre ajrore për avionin e Lavrov në kuadër të sanksioneve ndëshkuese që i janë vendosur Rusisë për shkak të luftës në Ukrainë.

Moska ka fajësuar vendet perëndimore se po vendosin një tjetër barrierë, duke mbyllur komunikimin me Kremlinin.

 

SERGEI LAVROV
MINISTER I JASHTEM, RUSI

“Ajo që ka ndodhur në thelb është një privim i së drejtës së një shteti sovran për të kryer politikë të jashtme. Ky është një tjetër demonstrim shumë i qartë dhe udhëzues i shkallës në të cilën NATO dhe BE mund të përdorin mënyrat më të ulëta për të ndikuar tek ata që udhëhiqen nga interesat kombëtare dhe nuk janë të gatshëm të sakrifikojnë parimet e tyre, dinjitetin e tyre në favor të vetë rregullave që imponon Perëndimi në vend të ligjit ndërkombëtar. Por gjëja kryesore është askush nuk do të mund të shkatërrojë lidhjet tona me Serbinë ”

 

Sipas diplomatit rus, Perëndimi kishte për synim ta ndalonte atë të shprehte qëndrimin e tij për Kosovën dhe në mbështetje të “Ballkanit të Hapur”.

 

SERGEI LAVROV
MINISTER I JASHTEM, RUSI

 

“Shihet qartë se zyrtarët e Brukselit nuk kanë dashur që ne të konfirmojmë pozicionin tonë për Kosovën, Bosnjë-Hercegovinën dhe të shprehim përkrahjen për iniciativën e Beogradit, ‘Ballkani i Hapur.”

 

Ministri i Jashtëm rus, kishte planifikuar të zhvillonte bisedime me presidentin serb, Vuçiç, homologun, Nikola Selakoviç dhe patriarkun e Kishës Ortodokse Serbe, para se të vazhdonte udhëtimin drejt Turqisë.

 

Serbia është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që ka refuzuar të vendosë sanksione ndaj Moskës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *