Nëpërmjet një nisme ligjore, mazhoranca po kërkon të falë gjobat e vendosura nga institucionet publike ndaj individëve në zonat rurale.
Bëhet fjalë për të anuluar penalitetet e paekzekutuara në 10 vitet e fundit, konkretisht nga 1 janari 2015 deri në nëntor 2024.
Sipas draftit bëhet fjalë për 3200 gjoba me një vlerë prej 2.5 miliard lekë të vendosura nga Inspektoriati i Kontrollit të Territorit, ndaj individëve që kanë ndërtuar pa leje në fshatra.
Flasim për ndërtime ku përfshihen mirëmbajtje apo dhe riparime banesash familjare.
Të dhënat tregojnë se në krye të listës së penaliteteve qëndron bashkia Tiranë, me mbi 2000 gjoba.
Ndërkohë mazhoranca kërkon të fshijë dhe penalitetet e vendosura për mos zbatim të rregullave të Covidit apo dhe për ata fermerë që janë gjobitur nga Autoriteti Kombëtarë i Ushqimit, për përpunimin ruajtjen dhe magazinimin e prodhimeve bujqësore.
Nisma ligjore ende nuk e ka marrë formën zyrtare për të analizuar penalitetet në tërësi dhe vlerën e tyre, ndërsa mbetet e paqartë se çfarë do të ndodhë me ata individë që kanë paguar gjobën.
Projektligji do të diskutohet në komisionet parlamentare dhe pritet të shoqërohet me debat, pasi opozita thotë se ajo është tërësisht në funksion të zgjedhjeve parlamentare të majit 2025./vizionplus.tv





