Çdo fillim e ka edhe një fund. Andres Iniestes i qëlloi ta kishte plot 22 vite jetëgjatësinë mes fillimit dhe fundit të aventurës së tij të jashtëzakonshme tek Barcelona.

 

Ylli i futbollit spanjoll sikurse ishte paralajmëruar doli vetë në një konferencë për shtyp, për të lajmëruar largimin nga skuadra e Barcelonës pasi me këtë klub kishte kaluar 6 vite tek ekipet e moshave dhe 16 të tjera si profesionist në ekipin e parë.

 

Ashtu sikurse edhe ne largimin e Çavi-t apo Pyjol pak vite me parë, në konference përballe Iniestes ishte e gjithë skuadra, stafi teknik dhe drejtuesit e klubit katalanas.

 

Lotët në një moment të tillë nuk mund të mungonin.

 

“Kam dhënë gjithçka me shpirt për këtë fanellë dhe mendoj se ka ardhur momenti i duhur për tu ndarë rrugët tona. E njoh mirë veten time dhe mendoj se në të ardhmen nuk do të mund të jap dot maksimumin në aspektin fizik për shkak se jam 34 vjeç dhe kjo do te bënte qe te ndjehesha shumë keq. Nëse do të kisha imagjinuar ta mbyllja karrierën kështu, mendoj që kjo është mënyra e duhur. Përpara se ta mbyll do të doja të falenderoja klubin dhe akademinë e Barcelonës sepse karriera ime i dedikohet kryesisht këtyre strukturave”.

 

Andres Iniesta njeri prej mesfushorëve më të mirë të historisë së Barcelonës, futbollit spanjoll dhe atij botëror, pohoi se momenti më i paharrueshëm i karrierës është debutimi me ekipin e parë 16 vite me parë në një ndeshje evropiane kundër Club Bryzh ne Belgjike.

 

“Gjithçka ka ndodhur në karrierën time ka qenë një ëndërr që është bërë realitet. Luajta me këtë fanellë, fitova shumë trofe dhe mbajta shiritin e kapitenit. Nuk mund të kërkoj më shumë se kaq”.

 

34 vjeçari e bëri të qartë se nuk do të luajë kurrë kundër Barcelonës si lojtar kështu që la të hapur të gjitha skenarët për të vijuar karrierën kryesisht jashtë Evropës në Kine ose ShBA. I Pyetur në lidhje me keqardhjen që nuk fitoi dot topin e parë, Iniesta, pohoi se është krenar që respektohet në çdo stadium dhe kjo për të mjafton.

 

Andres Iniesta konsiderohet gjerësisht si një artist i topit për klasin dhe vizionin e lojës, ka luajtur 435 ndeshje me katalanasit duke shënuar 35 gola ndërsa ka fituar 8 kampionate, 6 kupa mbreti, 7 superkupa Spanjë, 3 botërore klubesh, 3 superkupa Evrope dhe në mënyre te veçante 4 UEFA Champions League.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *