Subscribe

Paralajmërimi i kryeministrit Edi Rama për shefat e komisariateve që kanë lejuar ndërtimet pa leje në Tiranë, bazohet në disa shkelje flagrante që institucionet ligjzbatuese i kanë evidentuar prej kohësh.

 

Vizion Plus mëson se tre ndërtime pa leje janë konkretisht në një nga lagjet periferike të Tiranës, zonë e cila mbulohet nga Komisariati numër 1.

 

Prej më shumë se një muaji, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, ka bërë kallëzim pranë prokurorisë së Tiranës ku ka evidentuar prova konkrete për shkeljet në këto tre godina.

 

Kjo dosje u shqyrtua nga prokurori Bajram Breçani, i cili u shkarkuar vetëm pak ditë më parë nga Vettingu, pasi kishte probleme me pasurinë. Breçani pretendoi se nuk ka shkelje me ndërtimet pavarësisht se agjencia e mbikëqyrjes policore publikoi fotografi dhe prova të tjera. Në këto kushte, dosja u mbyll për mosfillim të hetimeve.

 

Burime për Vizion Plus shprehen se agjencia ka vendosur të ankimojë vendimin e prokurorit tashmë të shkarkuar dhe kërkon një hetim të gjerë të rastit.

 

Të njëjtat burime shprehen se në hetime do të përfshihen edhe ish-drejtuesit e mëparshëm të Komisariatit nr.1 dhe zyrtarët e IMT-së së Bashkisë së Tiranës. Megjithatë Agjencia e Mbikëqyrjes Policore heton vetëm nëse efektivët e policisë kanë mbyllur sytë ndaj këtyre fenomeneve.

 

Sa i takon zyrtarëve të institucioneve të tjera apo për ndërtuesit, do të jetë Prokuroria e cila do të vendosë nëse do të hetohen apo jo.

 

Jo vetëm këto raste, por agjencia e mbikëqyrjes policore ka indicie edhe për ndërtime të tjera në shkelje të ligjit në Unazën e Vogël dhe të Madhe të Tiranës ku policia nuk ka bërë punën e duhur. Në këto kushte pritet të ketë hetime ku në sitë do të kalojën edhe komisariatet e tjera.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *