Subscribe

Nga Enkelejda Mema

Prej dhjetorit kur qeveria e miratoi, projektligji për amnistinë penale mbetet i pavotuar në parlament.

84 votat për të ende nuk janë gjendur dhe shkak mbeten rezervat që politika ka për ata që duhet t’u falet barra penale apo t’u ulet masa e dënimit. Kur ende ujdia të paktën zyrtarisht nuk është thënë nëse është arritur, Plarent Ndreca, socialisti që relatoi çështjen në komisionin e ligjeve thotë për Vizion Plus se opozita po e përdor atë vetëm për qëllime të saja politike.

“Edhe një akt juridik siç është amnistia tentohet të përdoret për interesa partiake të ditës, për propagandë populiste të cilat s’kanë lidhje fare as me qëllimin dhe as me arsyet përse bëhet amnistia”, tha Plarent Ndreca.

E njëjta akuzë vjen edhe nga opozita. Ajo thotë se shumica socialiste po kërkon t’u lehtësojë barrën penale njerëzve të saj, duke përfituar nga ulja e dënimit të dënuarit për korrupsion nga gjykata speciale. Për këtë akuzë Plarent Ndreca ka këtë shpjegim.

“Nuk ka asnjë lidhje me mazhorancën, nga informacionet qe kemi marrë asnjë prej zyrtarëve për të cilët me emocion dhe pasion të madh pjesëtarë të caktuar të opozitës e thanë që do të liroheshin, dhe në fakt kanë pushuar, nuk po ndihen se kush janë emrat sepse nuk ka të tillë. Është thjesht një tendencë për të barazuar të gjithë personat para ligjit që nuk ka lidhje se cila është gjykata që i dënon, por që kanë edhe ata të drejtë të përfitojnë një vit apo një vit e gjysmë ulje dënimi si të tjerët të dënuar nga gjykatat e tjera”, tha Ndreca.

Rikthimi pas disa vitesh nga qeveria i amnistisë penale erdhi si nevojë urgjente nga mbipopullimi i burgjeve. Shifrat thonë se numri i të paraburgosurve është më i lartë se i të dënuarve në vendin tonë, një standard i përmbysur nga ajo që Bashkimi Evropian kërkon. Para këtij fakti dhe që bërja e amnistisë penale mos të ketë si kusht kryesor mbipopullimin, a duhet një politike e re penale?

“Nuk besoj se jemi para momentit për ndryshim të kodit të procedurës penale por ndoshta nga ana e institucioneve që janë të ngarkuara nga ligji për të zbatuar kodin e procedurës penale që rast pas rasti të shfrytëzohen të gjitha instrumentat e parashikuara nga kodi i procedurës penale për masën e sigurimit. Pra mos të shkohet drejt vetëm arrestit me burg, por ka disa masa sigurimi që parashikon kodi i procedurës penale të cilat duhet të shfrytëzohen në ekuilibër të plotë dhe në raport me çështjen konkrete. Duhet të këtë një ekuilibër edhe mes vetë gjykatave, pra nuk mund të ketë që një gjykatë që për të njëjtat arsye, shkaqe dhe vepër penale të marrë një masë sigurimi më të rëndë dhe të ndryshme nga një tjetër gjykatë. Duhet të ketë një unifikim. Ndoshta Gjykata e Lartë duhet të bëjë punën e saj për të unifikuar vendimet në këtë aspekt”, u shpreh Ndreca.

Që të dalin nga burgu apo që vitet e qëndrimit pas hekurave t’u ulen, të dënuarit do të duhet të presin që shumica socialiste dhe opozita të bashkojnë kartonat pro.

Në 4 prill është seanca e radhës parlamentare. Mbetet për tu parë nëse deri të enjten mes PS-së dhe Rithemelimit do të ketë një ujdi ku dy pikat kryesore janë: Tërheqja e PS-së nga propozimi për të dënuarit nga GJKKO dhe falja e të gjithë protestuesve pa i ndarë ata në të Lulzim Bashës dhe Sali Berishës./vizionplus.tv/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *