Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, i ka dorëzuar sot certifikatën kompanisë amerikane CWP për ndërtimin e një parku energjetik me kapacitet 600 MW në Tropojë.
Gjatë takimit për prezantimin e parkut eolik në Tropojë ku të pranishëm ishin edhe Kryeministri Edi Rama dhe e ngarkuara me punë e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Nancy VanHorn u dha edhe certifikata e autorizimit për realizimin e projektit. Nga ana e CWP merrnin pjesë CEO i kompanisë në fjalë për Europën si dhe përfaqësues të tjerë.
Zv.Kryeministrja Belinda Balluku theksoi se investimi i kompanisë amerikane është një tregues i besimit të investitorëve të huaj ndaj Shqipërisë dhe politikave të ndjekura nga qeveria në sektorin e energjisë.
“Në energjinë e erës, për herë të parë në historinë tonë energjetike, Shqipëria po hyn në fazën e realizimit të projekteve konkrete, nëpërmjet projektit të CWP-së, me një kapacitet të pritshëm për t’u instaluar prej 600 MW”, u shpreh Balluku.





