Koalicioni djathtas për Zhvillim, i drejtuar nga Dashamir Shehi dhe Enkelejd Alibeaj, prezantuan sot kandidatët për zgjedhjet e 11 majit.
Dashamir Shehi dhe Alibeaj garojnë në lista të hapura, ndërkohë që pjesa e mbyllur e listës është plotësuar me emra jo-politikë, të cilët pritet të dorëhiqen në rast se koalicioni fiton në 11 maj, për t’i krijuar mundësinë atij që ka marrë më shumë vota për të hyrë në Parlament.
Përtej mbështetjes për listat e hapura, tipari tjetër dallues i aleancës Shehi-Alibeaj është mbështetje ndaj reformës në drejtësi dhe SPAK-ut.
Në kampin opozitar, në 11 maj do të garojnë 3 koalicione dhe disa parti politike, një situatë që për Dashamir Shehin flet për dështimin e parë të opozitës në këtë betejë elektorale.
“Kemi bërë tentativat për t’i puqur grupet, dështuam. Do ishte shumë bukur për opozitën sikur të ishim gjithë bashkë, në një farë mënyre është edhe dështimi ynë”, tha Shehi.
Në kampin opozitar, përballë PS dhe Edi Ramës, garojnë Aleanca Madhështore e drejtuar nga PD dhe Sali Berisha, koalicioni Nisma “Shqipëria Behet” i drejtuar nga Lapaj dhe Endri Shabani, koalicioni Shehi-Alibeaj, si dhe Partia e Lulzim Bashës dhe ajo e Agron Shehajt.
/vizionplus.tv