Tristan Çela është shpallur fitues i edicionit të parë të spektaklit “Albania’s Got Talent”.
Zëri i tij potent spikati mes 11 konkurrentëve pjesëmarrës, përmes të cilit bindi jurinë ta kalonte nga faza e audicioneve në gjysmëfinale, e më pas drejt finales së madhe.
Ndërsa publiku ishte ai që tha fjalën e fundit, përmes votave të tij e shpalli artistin e ri talentin më të madh shqiptar.
Në vend të dytë sipas votave të publikut doli pianisti i vogël Hermes Balili, një talent i jashtëzakonshëm i këtij edicioni, i ndjekur nga vendi i tretë që shkoi për artisten Arjeta Dhima.
Një finale magjike u transmetua për gati tri orë ne ekranin e televizionit kombëtar Vizion Plus. Ishin sërish konkurrentët e përzgjedhur nga juria që befasuan publikun me performancat e tyre.
Në këtë mbrëmje mbizotëruan emocionet e forta, ethet e garës dhe surprizat e bukura.
Pastori amerikan Cory Cramer zgjodhi të këndonte shqip, për t’i vërtetuar edhe njëherë jurisë dhe publikut lidhjen e fortë që ka me vendin tonë.
Fatmir Murra po ashtu përmes pikturave në rërë përcolli sërish një mesazh të fuqishëm.
Akrobatet e “The Madness Leader”, grupi “The Beat Killers” dhe Leandra Plaku sollën dhuruan një spektakël të vërtetë.
Skena e Albania’s Got Talent u kthye në një botë të vogël magjike përmes flluskave të italianit Stefano Maurielo.
Dejzi Zylaj dhe Klejvi Kapeta vërtetuan gjithashtu se pjesëmarrja e tyre në finale ishte mëse e merituar, pasi dhuruan edhe këtë mbrëmje performanca skenike të mrekullueshme.
Ky prodhim i Vizion Plus erdhi nën moderimin e Isli Islamit i cili e cilëson këtë rrugëtim si një nga më të veçantët e karrierës së tij.
Për 12 javë me radhë “Albania’s Got Talent” u kthye në spektaklin e rekordeve, duke vendosur një standard të ri televiziv në Shqipëri./vizionplus.tv