Për herë të parë, ish-deputeti socialist Plarent Ndreca i vënë nën akuzë për shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera, kur mbante postin e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Brendshme, ishte i pranishëm në gjyqin që po bëhet ndaj tij.
Në nisje të seancës, gjykata i rrëzoi mbrojtjes një kërkesë për përjashtimin e Flojera Davidhit, njëra nga anëtaret e trupës gjykuese me argumentin se është e pabazuar në ligj.
I pandehuri Ndreca dhe avokati, Ermal Yzeiraj i kërkuan togave të zeza që të shpallë moskompetencën në mënyrë që të gjykohet nga një gjykatë e zakonshme. Prokuroria, – thotë mbrojtësi – argumenton se i njëjti qëllim kriminal përbashkon të dyja procedurat, por ky është vetëm një deduksion logjik i pabazuar në fakte.
Përderisa procedura e parë tenderuese është në vlerën zero, ndërsa e dyta që ka vlerë nuk ka konkurrencë nuk ka sesi të jetë shkelur barazia. Ndreca nga ana e tij u vetëmbrojt duke thënë se si Sekretar i përgjithëm është kujddesur që të gjejë ekspertët më të mirë në treg që të kryejnë supervizimin e rindërtimit të katër komisariateve në vend dhe me ndryshimet ligjore të 2021 është dekriminalizuar çdo procedurë që ka vlerën zero lekë.
Prokurorja e SPAK, Dorina Bejko thotë se SPAK ka zbuluar se qëllimi final ka qenë paracaktimi i fituesit në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Brendshme duke shkelur ligjin në fuqi.
Ish- ligjvënësi socialist akuzohet për periudhën 2019 – 2020, kur si numri dy i Ministrisë së Brendshmë, dyshohet se ka përfituar nga tenderi i rikonstruksionit të katër komisariateve në vend. Ai u kallëzua nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, që pas auditimit të bërë, konstatoi fryrje të kostos reale të prokurimit publik, që përfshinte komisariatin e Mirditës, komisariatin, nr 4 të kryeqytetit, atë të Vlorës e Pogradecit.





