Gjykata e Posaçme ka kaluar për gjykim 3 ish- Inspektorë të Ministrisë së Mjedisit dhe 2 mjekë.

Bëhet fjalë për inspektorët, Ilir Nishani, vëllain e ish- Presidentit Bujar Nishani, Genci Hickën dhe Gerson Tafën që akuzohen për korrupsion pasiv dhe dy mjekët, Kostandin Balloma dhe Besim Boçi.

Këta dy të fundit do gjykohen për korrupsion aktiv.

Hicka, Tafa dhe Nishani u kishin kërkuar klinikës ku punonin Balloma dhe Boçi, 30 mijë lekë në mënyrë që të mos i gjobisnin për mungesën e trajtimit të mbetjeve spitalore.

Ka qenë vetë mjeku Kostandin Balloma që i ka kallëzuar 3 inspektorët pasi u dha pagesën që ata kishin kërkuar në vlerën e 30 mijë lekëve.

Disa ditë pasi SPAK njoftoi mbylljen e hetimeve dhe i mori të pandehur inspektorët, Gjykata e Posaçme, e përfaqësuar nga gjyqtari Erion Bani, ktheu për të dytën herë aktet në ngarkim të tyre.

Gjykata i kërkoi prokurorit që të marrë të pandehur edhe dy mjekët, dosja e të cilëve u kalua sot për gjykim./vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *