Të gjashtë inspektoratet që janë zbatues të vendimit të qeverisë për të falur dhe fshirë gjobat në zonat rurale kanë nisur nga puna për verifikimin e tyre.
Aktualisht hapi i parë që po ndiqet është se kush do të përkufizohet zonë rurale dhe kush zonë urbane, pasi ka subjekte apo individë që shoqërohen me paqartësi lidhur me vendndodhjen e tyre.
Tomi Kola, drejtor i vlerësimit tërriskut në Autoritetin Kombëtar të Ushqimit, gjatë një intervistë në “E-ZONE” dha disa detaje mbi këtë proces.
“Në total në AKU kemi 2500 gjoba të paekzekutura në dhjetë vitet e fundit. Ne jemi në fazën që po verifikojmë se sa prej tyre janë individë apo biznese që kanë fokus të aktivitetit të tyre agroushqimore, si dhe sa prej tyre janë në zonë rurale. Për këtë ne i kemi dërguar një letër të 12 qarqeve në mënyrë që të njësia vendore të na japë një orientim më të saktë”, tha Kola.
Por pas përfundimit të këtij hapi, do të jenë vetë inspektoratet të cilat do të bëjnë fshirjen e gjobave nga sistemi. Por a kanë detyrim individët apo biznesit në këtë proces?
“Ne do të njoftojmë cilindo përfitues të këtij vendimi me shkresë lidhur me fshirjen e gjobave. Ai që nuk e gjen vetën, por beson se mund të jetë përfitues ka të drejtën e ankimimit pranë zyrave rajonale, të cilit më pas do t’i jepet interpretimi apo informacioni i duhur”, tha Kola në Vizon Plus.
Në total janë 6 inspektorate të cilat kanë për detyrë të fshijnë gjobat dhe penalitetet për individët dhe bizneset që i kanë marrë nga 1 janari 2015 deri në 30 nëntor 2024./vizionplus.tv





