Një aksident i rëndë ndodhi mbrëmjen e të enjtes rreth orës 23:10, tek mbikalimi në Mjull Bathore, në aksin Tiranë-Elbasan, ku humbi jetën një punonjës i ambasadës ruse në Tiranë.
Automjeti me drejtues shtetasin Andrea Kukuviç dhe pasagjer shtetasin Sergei Mironov është përplasur në fillim me bandierën metalike e më pas edhe me bordurën.
Për pasojë, automjeti është shkatërruar plotësisht.
Si pasojë e plagëve të shumta, shtetasi rus Sergei Mironov, 36 vjeç, ndërroi jetë në spital, ndërsa Andrea Kukuviç, 30 vjeç, ndodhet ende nën kujdesin e mjekëve.
Shkak për aksidentin e rëndë dyshohet se ishte shpejtësia e madhe. I njëjti automjet, me targa të trupit diplomatik, është konstatuar disa herë nga policia rrugore me shpejtësi të lartë.
Mesnatën e 31 marsit, makina e ambasadës ruse është vënë re duke udhëtuar me shpejtësi 171 km/h.
Policia rrugore në një rast e ka ndjekur mjetin deri tek ambasada ruse, por nuk ka mundur ta ndalojë, pasi makina është futur në selinë diplomatike.
Oficerët e policisë kishin vënë në dijeni edhe eprorët e tyre, e po ashtu edhe ambasadën, për këta persona që ishin problematikë në rrugë me sjelljen e tyre.





