Një ngjarje e rëndë ka ndodhur ditën e djeshme (3 maj) në fabrikën e përpunimit të kromit në Qafën e Burrelit, ku një punëtor 29-vjeçar, shtetasi A.B., mbeti i zënë poshtë nga një masiv rëre dhe minerali teksa punonte me një mjet fadromë. Deri më tani, trupi i tij ende nuk është gjetur, ndërsa vijojnë operacionet e kërkim-shpëtimit.
Pas hetimeve të para, Policia e Klosit ka arrestuar në flagrancë drejtuesin teknik të shoqërisë, shtetasin A.L., 44 vjeç, me akuzën “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”.
Sipas autoriteteve, ngjarja është pasojë e mosrespektimit të protokolleve të sigurisë, ndërsa grupet hetimore dhe emergjencat civile vijojnë punën në terren për lokalizimin e punëtorit të zhdukur.
Materialet procedurale janë referuar Prokurorisë së Dibrës për veprime të mëtejshme ligjore.
/vizionplus.tv





