Aksident tragjik në Turqi/ Përplasen autobusi dhe kamioni, 11 të vdekur, filmohet momenti fatal (VIDEO)

Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur mëngjesin e së dielës në Turqi, në autostradën që lidh Stambollin me Izmirin. Si pasojë e përplasjes mes një autobusi turistik dhe një kamioni, 11 persona kanë humbur jetën dhe 27 të tjerë janë plagosur.
Sipas autoriteteve lokale, aksidenti ndodhi pranë hyrjes së autostradës, në zonën e Akhisarit. Pas përplasjes me kamionin, autobusi turistik është përmbysur, duke shkaktuar pasoja të rënda. Një prej të plagosurve ndodhet në gjendje kritike për jetën.
Pamjet e publikuara nga gazeta turke “Hürriyet”, të regjistruara nga një kamerë e trafikut, tregojnë momentin e aksidentit tragjik.
Menjëherë pas ngjarjes, në vendin e aksidentit mbërritën ambulancat, forcat zjarrfikëse dhe policia. Ekipet e shpëtimit ndërhynë për nxjerrjen e personave të përfshirë në aksident dhe transportimin e të plagosurve drejt spitaleve.
Ministri i Brendshëm i Turqisë, Mustafa Çiftçi, deklaroi përmes një reagimi në platformën X se situata po ndiqet nga afër, në koordinim me institucionet përgjegjëse. Ndërkohë, autoritetet kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat e aksidentit tragjik.




