Partia Demokratike lëshon alarmin se siguria kombëtare është cenuar për mënyrën si janë marrë tenderat dhe kush i ka marrë këto tendera në Agjensinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit.
Jorida Tabaku shpjegon se dosja e SPAK-ut për këtë çështje tregon se të dhënat e shqiptarëve kanë përfunduar në duart e grupeve kriminale dhe jo vetëm kaq, por drafte ligjore në fakt janë propozuar nga persona të cilët sot po hetohen me akuzën grup i strukturuar kriminal.
“Nga dosja e SPAK-ut u vu re që projekti i passaportave të arta në fund të ditës është një projekt, i cili nuk dilte nga zyrat e qeverisë, por dilte nga zyrat e Ergys Agasit, dilte nga zyrat e EA Solution apo EA Tobacco. Që do të thotë, që tashmë, nëse ne ishim njohur me faktin që vendime qeverie, ligje shkruheshin nga biznese, tashmë shkruhen nga grupet e strukturuara kriminale. Po paqen fiskale kush e ka propozuar? Po i njëjti grup? Po iniciativa të tjera të qeverisë kush i ka propozuar? Ti e kupton që këtu kemi të bëjmë me cenimin e sigurisë kombëtare”, tha Tabaku.
Për këtë arsye Tabaku beson se duhet të ishte mbledhur Këshilli i Sigurisë Kombëtare
“Presidenti duhet ta kishte thirrur me patjtër Këshillin e Sigurisë Kombëtare. Sepse këtu bëhet fjalë për cenimin e sigurisë kombëtare me të dhëna të cilat ishin publike në momentin kur u morën nga iranianët, ndërkohë që tashmë janë përdorur për qëllime të tjera”, u shpreh ajo.
Por Tabaku vë në dukje se edhe Parlamenti duhet të kishte reaguar për situatën e krijuar me të dhënat e shtetit shqiptar dhe qytetarëve shqiptarë
“Parlamenti duhet të kishte bërë një seancë të veçantë, Komisioni i Mbrojtjes duhet të kishte bërë një seancë të veçantë për të thirrur SPAK-un, për të marrë informacion e për të vlerësuar, me deputetët që kanë certifikata sigurie, deri ne cilin nivel ka shkuar marrja e informacionit dhe për çfarë qëllimesh është përdorur dhe duhet të kishim një hetim të brendshëm administrativ se si kjo është përdorur për qëllime kriminale”, tha Tabaku.
Në 16 dhjetor SPAK-u njoftoi publikisht se po heton 8 persona për tenderat e AKSHI-it mes të cilëve edhe drejtoreshën e këtij institucioni Mirlinda Karcanaj dhe Ergys Agasin, duke ngritur ndaj tyre akuzat: Heqje e paligjshme e lirisë, Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera, e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal.
/vizionplus.tv




