Agjencia Franceze e Lajmeve pre e një sulmi kibernetik, pezullohet AFP Forum

Agjencia Franceze e Lajmeve (AFP) është bërë objekt i një sulmi kibernetik, duke detyruar drejtuesit të pezullojnë përkohësisht platformën AFP Forum, përmes së cilës abonentët aksesojnë, kërkojnë dhe shkarkojnë materialet gazetareske të agjencisë. Ende nuk dihet se kush qëndron pas sulmit.
Menjëherë pas zbulimit të incidentit, ekipet teknike u angazhuan për të kufizuar pasojat, ndërsa platforma u shkëput nga rrjeti si masë paraprake.
AFP njoftoi se AFP Forum do të mbetet jashtë funksionit deri në një njoftim të dytë, ndërsa abonentëve po u ofrohen mënyra alternative për të aksesuar përmbajtjen e agjencisë.
“Një hetim është duke u zhvilluar me ndihmën e ekspertëve të jashtëm. Në këtë fazë, nuk kemi informacion se kush qëndron pas sulmit”, thuhet në njoftimin e drejtuesve të agjencisë.
Sulmi ndaj AFP-së vjen në një kohë kur Franca dhe vende të tjera evropiane po përballen me një shtim të incidenteve kibernetike që synojnë institucionet publike dhe kompanitë private.
Kreu i agjencisë franceze për sigurinë kibernetike ka paralajmëruar më herët për një nivel të paprecedentë të kërcënimeve ndaj vendit.
Disa prej këtyre sulmeve lidhen me organizata kriminale që synojnë përfitime financiare, ndërsa të tjera kanë si objektiv destabilizimin e institucioneve dhe shërbimeve.
Hetimet për sulmin ndaj AFP-së vijojnë, ndërsa agjencia nuk ka bërë ende të ditur se kur platforma do të rikthehet në funksion.



