Subscribe

Agim Çerma, baroni i drogës që transportonte kokainë me avion nga Kolumbia në Europë kishte kohë që ishte pikasur edhe nga autoritetet shqiptare. Policia kishte nisur disa letërporosi në Kolumbi, duke i vënë në dijeni për dyshimet mbi trafikun ndërkombëtar të drogës. Aktiviteti i Çermës në Kolumbi doli pas shkatërrimit të disa bandave të drogës në vend.

 

Drejtuesi i organizatës Agim Çerma është një emër i njohur për drejtësinë shqiptare. Ai rezulton të jetë dënuar me burgim të përjetshëm për vrasje. Çerma është dënuar nga Gjykata e Elbasanit në vitin 1998 për vrasjen e Gëzim Liçit dhe plagosjen e efektivëve të policisë. Në atë kohë, u arrestua dhe vëllai i Agimit, Gazmend Çerma, i cili u dënua me 11 vite burg.

 

Agim Çerma kishte kërkuar dënim më të zbutur dhe kishte ankimuar në Gjykatën e Lartë vendimin e Apelit të Durrësit që la në fuqi dënimin me burg përjetë. Por Gjykata e Lartë nuk i ka favorizuar vëllezërit Çerma. Në këto kushte ata i janë drejtuar Gjykatës Kushtetuese e cila e ka dërguar dosjen për rigjykim.

 

Dosja i ka kaluar Gjykatës së Lezhës, kjo për faktin se Agim Çerma vuante dënimin në burgun e Shën Kollit. Çerma është liruar me kusht nga burgu në vitin 2012 nga gjyqtarja Parashqevi Ademi, e dënuar gjithashtu nga drejtësia në vitin 2015 për korrupsion.

 

Çerma më pas është larguar drejt vendeve të Europës dhe më tej, në vendet e Amerikës Latine, ku është përfshirë në trafikun ndërkombëtar të drogës.

 

Para pak ditësh, në një operacion mes policisë kolumbiane dhe DEA-s amerikane u kapën 5 persona, 4 shtetas të huaj dhe Agim Çerma, ku u sekuestruan mbi 330 kg kokainë dhe më shumë se 500 mijë dollarë. Autoritetet e huaja zbardhën dhe skemën e trafikut të drogës. Sipas tyre, Agim Çerma kishte lidhje të forta brenda aeroporteve dhe transportonte kokainën në Europë në SHBA si dhe në Shqipëri.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *