Afganet e vendosur në zonën turistike të Shëngjinit, duken pesimistë pas vendimit të presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në lidhje me pezullimin e programit të refugjateve për 90 ditë.
Vendimi i fundit i lë ata në Shëngjin për një kohë ende të papërcaktuar.
“Vendimi i Trump nuk me duket i drejtë. Njerëzit tonë e kanë ndihmuar ushtrinë amerikane në Afganistan, ne duam që edhe gjithë njerëzit tanë që kanë ngelur në Afganistan të mos lihen në harresë, pasi jeta e tyre është e rrezikuar. Ata kërkojnë ndihmë për tu evakuuar nga Afganistani sepse po përballen me sulme të vazhdueshme nga Talebanët dhe jetojnë në një situatë tejet të rrezikshme.”
“Njerëzit që kanë ndihmuar ushtrinë amerikane, po vriten nga Talebanët. Nëse nuk na ndihmon Amerika kjo do të jetë fundi i jetës tonë, pasi ne nuk mund të shkojmë më në Afganistan, pasi Talebanët e dinë kush ka ndihmuar ushtrinë amerikane dhe jemi të rrezikuar”
Urdhri ekzekutiv i Trump i marrë që në ditën e parë të detyrës si president, për pezullimin e programit të refugjatëve prek rreth 2,000 afganë, që kishin marrë miratim për t’u zhvendosur në SHBA.
Nga 27 janari programi i pranimit pezullohet për të paktën tre muaj derisa sekretarët e Sigurisë Kombëtare t’i paraqesin një raport Trump nëse programi “do të ishte ose jo në interes të SHBA’.
Sipas një raporti nga Departamenti i Shtetit i SHBA-së, më shumë se 180,000 afganë kanë mbërritur që nga gushti 2021.