E diel, 11 Tetor 2026 Lajmet e Fundit deri në 03:00 Në vijim ora 03:00: Film TV Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Bota

Adoleshentja franceze nxit debat për blasfeminë në Francë

Një adoleshente nxiti debat rreth blasfemisë në Francë, pasi në një postim në Instagram ajo e quajti Islamin “fe e urrejtjes”.

 

Reklamë

Mila, 16 vjeçe, i postoi komentet e saj online, pasi mori komente homofobike nga një komentues mysliman.

 

Reklamë

Ajo po ashtu u kërcënua me vdekje dhe ndaloi së shkuari në shkollë. Megjithatë, ajo nuk u tërhoq dhe në intervistën e parë televizive tha se “dëshiron të shajë”, raporton BBC.

 

Mila, më pas, e çaktivizoi llogarinë e saj në Instagram. Postimi i saj shkaktoi debat të madh në Francë për lirinë e shprehjes.

 

Ky vend nuk ka ligje për blasfemi dhe ka kushtetutë laike. Policia fillimisht hapi dy palë hetime: i pari – nëse Mila është fajtore për gjuhë të urrejtjes dhe i dyti – kundër sulmuesve të saj online.

 

Policia i pezulloi hetimet e para, pasi, siç tha, Mila shprehu një opinion personal për fenë dhe nuk sulmoi individë. Të martën, ministri i Brendshëm i Francës, Christophe Castaner, tha në Asamblenë Kombëtare se Mila dhe familja e saj janë nën mbrojtje të policisë.

 

Polemika filloi më 18 janar, pasi Mila bëri një transmetim të drejtpërdrejtë në llogarinë e saj në Instagram. Pasi foli për seksualitetin e saj, ajo u quajt “lezbike e pistë” nga një komentues mysliman.

 

Në përgjigje, Mila bëri një postim për Islamin duke thënë: “E urrej fenë. Kurani është fe e urrejtjes”. Kritikët thanë se komentet e saj ishin fyese.

 

Disa i dërguan kërcënime me vdekje, ndërsa të tjerë i postuan informacionet e saj personale në internet. Kreu i Këshillit Francez të Besimit Mysliman, Mohamed Moussaoui, tha se asgjë nuk i justifikon kërcënimet me vdekje, pavarësisht se sa serioze ishin postimet e Milas.

 

Ministrja e Drejtësisë e Francës, Nicole Belloubet, tha se kërcënimet me vdekje ndaj adoleshentes janë “të papranueshme”./ REL

Vazhdo të lexosh

Reklamë