Policia e Shijakut ka vënë në pranga një 44-vjeçar, i identifikuar me inicialet H. G., banues në fshatin Pjezë, pasi dyshohet se ka kryer marrëdhënie seksuale me dhunë ndaj një 18-vjeçareje që vuan nga probleme të shëndetit mendor. Ngjarja dyshohet se ka ndodhur në një banesë të braktisur në fshatin Pjezë.
Menjëherë pas marrjes së kallëzimit, specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Shijak organizuan operacionin për kapjen e të dyshuarit, i cili u arrestua në zonë.
Gjatë kontrollit të banesës së tij, policia sekuestroi një shkop gome—mjet që përdoret zakonisht nga forcat e rendit—si dhe një armë gjahu që 44-vjeçari e mbante pa leje.
Materialet u referuan në Prokurorinë e Durrësit, ku ndaj të dyshuarit rëndojnë akuzat për:
“Kryerja e marrëdhënieve seksuale me dhunë me të rritura, me persona të paaftë për t’u mbrojtur”; “Mbajtje pa leje të armëve të gjahut”; “Mbajtje pa leje të armëve të ftohta”.
Hetimet po vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
/vizionplus.tv





