83 deputetë nuk do të ulen më në kuvend në muajin shtator, prej të cilëve 45 i përkasin Partisë Socialiste dhe 21 Partisë Demokratike. Për shumicën prej tyre angazhimi në politikë do të vazhdojë edhe pse s’do jenë më në parlament.
Për të diskutuar situatën e fundit politike dhe atë që po ndodh me partitë politike, mbrëmjen e sotme ishin të ftuar në “Quo Vadis” në Vizion Plus, me moderatoren Pranvera Borakaj, Andia Ulliri, deputete e PD, Lavdrim Krashi, deputet i PS, Endri Shabani, kryetar i “Nisma Thurje”, Bledar Bejko, ish Prokuror në Durrës dhe Sokol Bregu, Gazetar “KÇK”.
Deputetja demokrate Andia Ulliri ndau detaje nga situata brenda në PD, partia më e madhe opozitare e cila në zgjedhjet e 11 majit, arriti që të merrte vetëm 50 mandate.
Ulliri tha se PD nuk i njeh këto zgjedhje ndërsa theksoi se brenda partisë nuk ka diskutime nëse kreu i kësaj force politike, Sali Berisha, do ta zbatojë nenin “Basha”. Sipas Statutit, kryetari i partisë që humb zgjedhjet duhet të dorëhiqet.
Pjesë nga biseda në studio:
Andia Ulliri: Jo çdo debat politik është i ekspozuar në nivele mediatike.
Pranvera Borakaj: A ka nisur të diskutohet largimi i Berishës? A do të zbatohet neni “Basha”?
Andia Ulliri: Te ne është diskutuar se çfarë po ndodh pas zgjedhjeve. Është diskutuar në të gjithë forumet ku ne kemi qenë pjesë. Ne nuk e besojmë që këto zgjedhje janë reale dhe nuk i njohim dhe e gjithë vëmendja jonë ka qenë e anagzhuar në faktin që këto zgjedhje ishin një deformim i vullnetit të qytetarëve.
Pranvera Borakaj: Të mos njohësh zgjedhjet do të thotë të mos marrësh as mandatet. A do ta bëjnë sërish demokratët këtë gabim?
Andia Ulliri: Nuk është hedhur në tavolinën e diskutimit ky opsion. Ne shohim një kontestim të zgjedhjeve jo vetëm nga PD por edhe nga parti të tjera dhe vetë kolegë të PS që kanë kërkuar pamje filmike. I tërhoqën, por ka ende nga ata kolegë që kanë kërkuar pamje filmike. Është një fenomen i cili nuk ka ndodhur më parë. Këto zgjedhje provuan një anomali të re dhe këto zgjedhje kanë ndikuar të gjitha palët politike. Aty ka pasur një deformim të vullnetit qytetar.
/vizionplus.tv





