A ka një shtresë të mesme të konsoliduar në Shqipëri? Përgjigjet drejtoresha e INSTAT
Teksa kostot e jetesës janë rritur ndjeshëm vitet e fundit, i gjithë ky realitet shoqërohet edhe me një cenim të mirëqenies së jetës së qytetarëve.
Padiskutim as Shqipëria nuk përjashtohet nga rritja e çmimeve apo kostove. Por në një ekonomi si kjo e jona, rritja e kostos, çmimeve, strehimit, ushqimit dhe çdo produkti tjetër bazik, ka një peshë edhe më të madhe në familjet shqiptare.
Por a mund të themi ne që është tkurrur shtresa e mesme në Shqipëri?
Drejtoresha e përgjithshme e INSTAT-it, Lantona Sado, e cilësoi këtë një çështje komplekse, për të cilën nevojiten analiza më të thelluara të shpërndarjes së të ardhurave.
Sipas saj, nuk ekziston një kufi i vetëm, i pranuar ndërkombëtarisht, që përcakton se kush i përket shtresës së mesme.
“Një nga përkufizimet e OECD-së përfshin familjet me të ardhura nga 75% deri në 200% të të ardhurave mediane të disponueshme, të përshtatura sipas madhësisë së familjes. Megjithatë, të ardhurat nuk janë i vetmi tregues që përcakton nivelin e jetesës. Rëndësi kanë edhe numri i personave që mbështeten në të ardhurat e familjes, shpenzimet për nevojat bazë dhe siguria ekonomike
Dy individë me të njëjtën pagë mund të kenë standarde shumë të ndryshme jetese. Nga statistikat tona shohim se norma e rrezikut për të qenë i varfër ka rënë nga 23% në vitin 2019 në 19% në vitin 2025. Ky është një zhvillim pozitiv, por nuk do të thotë automatikisht se shtresa e mesme është zgjeruar. Për këtë nevojitet analizë specifike e shpërndarjes së të ardhurave”, tha znj.Sado në emisionin E-Zone.
Drejtoresha e INSTAT-it theksoi në Vizion Plus se varfëria ka shënuar rënie në vitet e fundit, ndërsa instituti publikon të dhëna jo vetëm për të ardhurat, por edhe për konsumin, çmimet, kushtet e jetesës dhe çmimet e banesave.
Sado u ndal edhe te ndikimi i emigracionit në ekonominë shqiptare, duke theksuar se largimi i popullsisë në moshë aktive pune ndryshon strukturën demografike të familjeve dhe raportin e varësisë mes popullsisë në moshë pune dhe asaj joaktive. Megjithatë, ajo vuri në dukje edhe anën pozitive të emigracionit.
“Familjet që sot kanë një emigrant sigurojnë të ardhura të qëndrueshme nga këta të rinj që punojnë diku dhe këto të ardhura i sjellin në formën e remitancave pranë familjeve. Pra, është një burim që ndihmon familjet të kenë të ardhura më të mira. Migracioni është i shoqëruar edhe me fenomenin e kthimit nga emigrimi”, nënvizoi Sado.
/vizionplus.tv




