Pak ditë më parë kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Shëndetësisë Albana Koçiu u dhanë kartën e autonomisë spitalore pesë spitaleve në vend.
Autonomia spitalore parashikon autonominë menaxheriale të spitaleve që do të vetëfinancohen përmes pagesave që pacientët do të kryejnë, nëse duan konsulta me mjekë jashtë orarit të tyre të punës. Nga këto të ardhura, 70% shkojnë për mjekun dhe 30% për spitalin.
Por a do të funksionojë kjo skemë? Për të folur në lidhje me këtë çështje në emisionin “7pa5” në Vizion Plus ishte i ftuar Taulant Muka.
Ai u ndal fillimisht te problemi i largimit të mjekëve dhe tha se duhen bërë fillimisht studime për të kuptuar pse ata ikin.
Ai shtoi se fokusi duhet të jetë te shërbimi cilësor dhe theksoi se nuk duhet të ketë orë shtesë pune për mjekët që përballen me vëhstirësi të shumta gjatë orarit të rregullt.
“Që mos të largosh mjekët duhet të bësh studime, që të kuptosh pse janë duke u larguar. Autonomia spitalore fokusohet te fakti që mjekët mund të punojnë jashtë orarit. Duhet të fokusohemi te shërbimi cilësor, një mjek i lodhur duhet të përballojë 8-rarëshin dhe jo të bëjnë më shumë orë”, tha Muka.
Ai vuri në dukje se në spitalet shqiptare duhet të paguash për çdo shërbim dhe shtoi se në krye të këtyre institucioneve janë drejtues politikë.
Muka tha gjithashtu që personat që paguajnë siguracione shëndetësore nuk duhet të paguajnë për shërbimet në spitale.
Ai gjithashtu tha se mjekët nuk largohen nga vendi sepse nuk gjejnë mundësi punësimi jashtë orarit, por sepse kushtet në të cilat punojnë nuk janë të mira dhe pagat janë shumë të ulëta. /vizionplus.tv





