Edi Rama e nisi fjalën e tij në takimin përmbyllës të PS në Tiranë me një përshëndetje për djalin e tij të vogël, Zaho.
Ndërsa tregoi një fragment nga biseda mes Zahos dhe Lindës, kreu i qeverisë tha se ai donte të merrte pjesë në mitingun e sotëm, por nuk u lejua nga e ëma, Linda. Kjo e fundit i kishte thënë se nuk mund të shkonte pasi nuk mund të votonte.
“Dua të përshëndes Zahon nga këtu, sepse donte të vinte, po Linda i tha “Zaho ti nuk mund të shkosh, se ti nuk voton’. Zaho tha ‘kur do të votoj unë’. Linda i tha “Do votosh kur të rritesh’. Zaho: Po mirë, kur të rritem, ti do më votosh mua?’”, tha Rama.
Më pas, ai vuri theksin edhe tek patronazhistët, për të cilët tha se ndiehet krenar për ta, veçanërisht pas ngjarjes së rëndë që u shënua dje në Elbasan.
“Unë kam qenë gjithmonë krenar për ju, por pas asaj që ndodhi dje, unë jam shumë më shumë krenar për ju, jam më shumë se kurrë. Ata bëjnë çmos që t’ju poshtërojnë e lëndojnë por ka Zot, sepse ata që bënë të gjitha ato kundër jush dolën zhveshur, por jo si unë zhveshur, se ashtu nuk dalin dot ata. Kur mendoj zhveshur ata…Por dolën zhveshur në të gjithë përmasën e karakterit tuaj kur pa pasur asnjë pikë turpi, pasi e gjithë Shqipëria u trondit nga humbja e një jetë, morën përsipër tu thonë shqiptarëve se ata e kanë një grup të armatosur të shpërndarë kudo. Unë besoj që sot kush ende nuk e ka kuptuar diferencën e madhe mes jush dhe atyre, duhet t’i vërë gishtin kokës fort për fëmijët e tij.”





