Operacioni Forca e Ligjit ka zbritur këtë të hënë në Berat dhe Poliçan, ku iu ka dërguar formularin 4 personave, disa prej tyre janë të dënuar dhe disa nën hetim.
Kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë iu është dërguar shtetasve:
– M. T., banues në Berat, i dënuar me vendim të Gjykatës Penale të Veronës, Itali, për veprën penale “Shfrytëzim prostitucioni” në rrethana rënduese, vendim i njohur nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Berat;
– E. B., banues në Berat, i dënuar në Itali për veprat penale “Shfrytëzim prostitucioni me të mitur dhe të rritur”, “Favorizim prostitucioni me të mitur dhe të rritur” dhe “Pjesëmarrja në organizatë kriminale”, me vendim të njohur nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Berat;
– D. L., banues në Poliçan, në ndjekje gjyqësore nga autoritetet spanjolle, për veprën penale “Përdorim dhe shpërndarje e lëndëve narkotike”;
– A. P., banues në Berat, i dënuar nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie pasurie” e kryer në bashkëpunim.
Këta persona duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut.




