Kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu i ka bërë thirrje Francës që ta kthejë vëmendjen në trajtimin e agresionit rajonal të Iranit. Në një konferencë të përbashkët për shtyp me presidentin francez Emmanuel Macron, Netanjahu ka insistuar në kërkesën e tij që edhe Franca t’i bashkohet Uashingtonit në ndjekjen e një politike agresive ndaj Teheranit.
“Unë nuk i kërkova Francës të tërhiqej nga marrëveshja bërthamore, sepse mendoj se në thelb ajo do të shpërbëhet nga pesha e forcave ekonomike që do të pasojnë nga sanksionet e vendosura nga Uashingtoni. Nëse keni një marrëveshje të keqe ju nuk duhet të qëndroni në atë veçanërisht nëse shihni se Irani po pushton një vend pas tjetrit. Irani mashtroi Perëndimin në një marrëveshje të njëanshme dhe planifikon të përdorë pushimin nga sanksionet për të ndërtuar rezervat e saj financiare përpara se të kthehet në pasurimin e plotë të uraniumit për armët bërthamore të ardhshme.”
Ndërsa presidenti francez nuk u tregua mbështetës ndaj argumentit të Netanjahut.
“Ndava me kryeministrin Netanjahu bindjen time të thellë se marrëveshja duhet të ruhet për të siguruar kontrollin e aktivitetit bërthamor të Iranit. Kjo nuk është vetëm bindja ime por edhe e aleatëve të tjerë europianë. Unë dëshiroj që të negociojmë edhe për shqetësimet e tjera të Uashingtonit në mënyrë që pakti të përmirësohet”.
Irani nuk e ka pranuar se kërkon të zgjerojë aktivitetin bërthamor për qëllime lufte. Teherani thotë se raketat e tij balistike janë vetëm për qëllime mbrojtëse dhe jo të negociueshme dhe se ajo ka çdo të drejtë të mbështesë aleatët e saj të përfshirë në konflikte rajonale.




