Reshjet e dendura të natës dhe orëve të para të mëngjesit kanë shkaktuar një sërë problematikash në territorin e qarkut Korçë, megjithëse në shumë zona situata paraqitet drejt normalizimit.
Mëngjesin e kësaj të shtune në fshatin Progër është gjetur e pajetë 75-vjeçarja Flora Hoxha, pasi dyshohet se është marrë nga ujërat e kanalit kryesor të fshatit, i cili prej tre ditësh ishte totalisht nën ujë.
Burime bëjnë me dije se e moshuara vuante nga probleme të shëndetit mendor. Në kërkim të saj u angazhuan forcat e policisë, zjarrfikësit dhe ato të emergjencave civile, ndërsa trupi i pajetë u gjet mëngjesin e sotëm.
Në Sheqeras, prurjet kanë rrezikuar përmbytjen e një pjese të madhe të fshatit. Prefekti Nertil Jole bëri të ditur se pas ndërhyrjes së bordit të kullimit situata është stabilizuar, megjithatë 15 ura rurale kanë dalë jashtë përdorimit.
Në fushën e Maliqit janë përmbytur 270 hektarë tokë bujqësore.Ndërsa në fshatin Leshnjë, lumi Osum ka dalë nga shtrati, duke shkaktuar dëme të mëdha në banesa dhe në blegtori. Një nga banorët tregon se ujërat kanë hyrë brenda stallës së tij, duke vënë në rrezik çobanin që ndodhej në punë si dhe duke shkaktuar ngordhjen e rreth 50 deleve.
Dy familje janë evakuuar në fshatin Rëmenj të Pogradecit, pasi banesat e tyre janë bërë të pabanueshme për shkak të prurjeve të shumta të lumit. Aktualisht janë strehuar në banesa me qira deri në rikonstruksionin e shtëpive.
Në këtë fshat raportohen edhe dhjetëra banesa të tjera të përmbytura me dëme materiale. Sipas kryebashkiakut Ilir Xhakolli, ekipet e emergjencave janë në terren për evidentimin e dëmeve.
Më të prekura mbeten njësitë Buçimas, Çerravë, Dardhas dhe Proptisht.
Lumi Vjosa vijon me tendencë rënieje dhe gjatë natës nuk ka shkaktuar probleme përgjatë rrjedhës së tij. Në të njëjtat nivele kanë mbetur edhe prurjet e lumit Seman.
Problematike paraqitet situata edhe në Bashkitë Delvinë, Finiq dhe Konispol. Për shkak të reshjeve në rrugët që lidhin disa fshatra ka prezencë dherash, ndërsa vijon puna për pastrimin e tyre. Në fshatin Vllahat, situata mbetet e rrezikshme për një banesë që kërcënohet nga rrëshqitja e dheut.
Në Sarandë, 10 efektivë të forcave të armatosura me një gomone dhe një mjet transporti evakuuan bagëtit nga zonat e izoluara.





