Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka përkujtuar ditën e rezistencës ndaj pushtimit fashist. Nëpërmjet një postimi në “Facebook”, Meta tha se 7 prilli është një ditë e hidhur për shqiptarët, por edhe një ditë që na kujton rezistencën heroike të ushtarakëve patriotë.  Këtu ai përmend Mujo Ulqinakun.

 

“Sot është 7 prilli, një ditë e hidhur si vetë pabesia në historinë tonë. Por është edhe një ditë nderimi për rezistencën heroike të ushtarakëve patriotë, me në krye Heroin tonë Mujo Ulqinaku. Edhe pse të vetëm dhe të braktisur nga të gjithë, ne shqiptarët ju përgjigjëm pabesisë të pushtuesve fashistë me patriotizmin e bijve më atdhetarë të këtij vendi, të cilët ju kundërvunë me vetëmohim njërës prej fuqive më të mëdha të kohës.”

 

Kryetari i shtetit shprehu mirënjohje për rezistencën e patriotëve, të cilët dhanë jetën për lirinë.

 

“Ndaj sot, ne shqiptarët përulemi me nderimin më të thellë para sakrificës sublime të ushtarakëve patriotë dhe djemve më të mirë të Atdheut, të cilët me bindje të plotë dhanë edhe jetën e tyre për mbrojtjen e lirisë, pavarësisë dhe dinjitetit kombëtar, duke shënuar dhe fillimin e Rezistencës Antifashiste të popullit shqiptar. Mirënjohje të përjetshme Heroit tonë të Rezistencës Antifashiste Mujo Ulqinaku dhe të gjithë patriotëve të tjerë, të cilët përmbushën me nder betimin e tyre para Flamurit Kombëtar, duke e larë atë edhe me gjakun e tyre të paharruar. ??”

 

Mujo Ulqinaku është i njohur për rezistencën e tij më 7 prill 1939 ndaj forcave italiane gjatë pushtimit italian të Shqipërisë, ku ra dëshmor dhe pas vdekjes u emërua Hero i Popullit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *