Për më shumë se 7 orë pastruesja Rozeta Dobi është rrëfyer përpara hetuesve, duke e përmbysur historinë e mbi 500 mijë eurove të gjetura në banesën e saj. Dobi është shprehur se paratë ia kishte dhënë ish-zyrtarja e kryeministrisë Alda Klosi në mirëbesim për t’ia ruajtur.

 

Pas kësaj dëshmie, menjëherë me urdhër të Prokurorisë, policia e Tiranës i ka vendosur pranga Klosit, e cila më herët mbante pozicionin e shefes se kabinetit të ish-ministrit të rindërtimit Arben Ahmetaj.

 

Vizion Plus disponon dëshminë e Rozeta Dobit, në të cilën ajo tregon se paratë nuk i kishte vjedhur, por i kishte marrë në kasafortën e Klosit, pasi kjo e fundit i kishte thënë që t’i hiqte nga aty.

 

Ndër të tjera Dobi ka thënë se skena e grabitjes së banesës në rrugën e Kosovarëve është realizuar në bashkëpunim me zyrtaren, me qëllim për të fajësuar ish-bashkëshortin e kësaj të fundit.

 

Madje pastruesja ka thënë se paratë në shtëpinë e Klosit vinin me çantë që nga viti 2021, por nuk e dinte se kush i sillte. Pas kësaj dëshmie, policia e Tiranës rreth orës 18:00 të së premtes ka shoqëruar Alda Klosin dhe në orën 22:30 e ka arrestuar brenda drejtorisë së policisë.

 

Kjo e fundit akuzohet për fshehje të pasurisë, pastrim parash dhe deklarim të rremë përpara oficerit të policisë.

 

Por Klosi i ka mohuar këto akuza. Policia ka dyshime për të dyja palët, për Klosin e cila ka fshehur paratë në banesë, ndërsa për Rozeta Dobit për faktin se mund të përdorë dëshminë e saj për të shpëtuar të birin.

 

Tashmë për qindra mijëra eurot e gjetura në banesën e pastrueses, janë tre të arrestuar, Rozeta dhe Havier Dobi, nënë e bir si dhe Alda Klosi.

 

Fillimisht në banesën e Dobit u gjetën afro 120 mijë euro. Për këto para, Klosi pretendoi se i përkisnin familjes së saj për ti përdorur për sëmundjen e xhaxhait në Amerikë. Pas përgjimeve në paraburgim, nënë e bir rrëfyen edhe për shuma të tjera parash të fshehura në banesë.

 

Pas kontrollit, policia gjeti afro 400 mijë euro të futura në tubin e aspiratorit. Deri më tani 400 mijë eurot janë pa pronar pasi asnjëri nuk i ka dalë për zot.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *