61 mijë biznese pa punëtorë …
Të bësh biznes në Shqipëri ka një sërë sfidash. Por tipologjia e bizneve të vogla në vend është e orientuar drejt tregtisë me shumicë, pakicë si dhe drejt njësive që ofrojnë servis makinash, pra mekanikë.
INSTAT thotë se 51 % e biznesve në vend janë pa staf. Kjo do të thotë se administratori është dhe pronar dhe punëtor. Por çdo të thotë për ekonominë një tregues i tillë?
Eksperti i ekonomisë, Ergis Sefa, duke folur për E-ZONE për gazetaren Rajmonda Lajthia, theksoi se mungesa e fuqisë punëtore në biznesin e vohgël, lidhet me pamundësinë për t’i paguar.
“Pronari është dhe punëtor, është gjithçka bërës. Mungesa e aftësisë për të marrë njerëz në punë është me të ardhurat që kanë këto biznese. Të ardhurat e tyre janë aq të vogla sa për to është një kosto e shtuar, një kosto e madhe sa të marrin dikë tjetër ta punësojnë. Nëse do ta punësojnë do ta punësojnë me një nivel page të ulët. E theksoj dhe njëherë kjo ka të bëjë me produktivitetin e ekonomisë tonë, sa dinamike është ekonomia jonë. Në këto dy dekada ekonomia jonë është dhe më pak dinamike”, tha Sefa.

Ekspertët janë të mendimit se tregu në vend ka mundësi të limtuara, çka do të thote se nëse je biznes i vogël, shanset janë që të mbetesh i tillë.
“Shanset në minimum kanë mbetur të njëjta. Fatkeqësisht edhe për shkak të konkurencës së jashtme. Që ti të rritesh dhe të bëhesh biznes i mesëm e aq më pak i madh ty të duhet një mbështetje dhe një dorë e madhe. Jo vetëm aksesi në financë, një biznes që të rritet ka nevojë dhe për aksess në financë dhe likujditet në vazhdimësi, por sektori bankar këtë e ka vështirësuar gjithmonë e më shumë duke ngritur rregulla dhe barriera të mëdha, fonde investimi nuk ka. Nga ana tjetër ty të duhet dhe ekspertiza e duhur, të duhen njerëz të cilët kanë njohurinë e veçantë që të bëjnë biznesin tënd të rritet. Fatkeqësisht këta na i ka marrë Gjermania dhe Europa, kohët e fundit gjithmonë e më shumë. Në këtë grackë ku kanë ngelur bizneset e kanë shumë të vështirë të rriten me forcat e tyre”, tha Sefa në E-ZONE.

Në Shqipëri në 2023 ishin aktive 125 mijë biznese.




