Një zonë banimi, me kushte e standarde bashkëkohore, do u japë mundësinë 300 familjeve të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit në Kombinat, të nisin një jetë të re në apartamente me kushte shumë herë më të mira.
Duke inspektuar punimet që janë drejt përfundimit, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se do të ndiqet e njëjta metodë në hedhjen e shortit, si në rastin e banesave në zonën e “5 Majit”.
“Për të gjithë ato familje që kanë 5 vite që presin të vijë kjo ditë, më në fund kemi këtë lajm të mirë. Sigurisht, këtë lajm të mirë mund ta kishim patur më shpejt nëse nuk do kishim pasur problematikat që kemi hasur këtu me bllokimin e punimeve, me partiçka që na kanë çuar në gjykatë, ndërkohë që vetë sot nuk ekzistojnë më, kanë ndërruar emrin dhe janë bërë copë çikë”, tha Veliaj.
Veliaj përmendi rastet e projekteve dhe investimeve publike të bllokuara prej ngërçit të krijuar nga disa institucione vendimmarrëse në vend.
“90% të punëve i kemi me gjykatat administrative e civile. Sot vazhdojmë të jemi të bllokuar; pra, po mbarojmë ndërtimin këtu, por nuk kemi filluar te një seksion tjetër sepse një gjyqtar ka dhënë një masë bllokimi të punimeve. Një gjyqtar tjetër ka dhënë masë bllokimi për parcelat e varrezave në Sharrë. E njëjta gjë me një gjyqtar tjetër: njëri nga ndërtuesit, që ka ndërtuar pa leje mu në buzë të liqenit, ka vajtur në gjykatë dhe gjykatësi, mes interesit publik, – të atyre 250 mijë vetëve që argëtohen tek Parku i Liqenit, që është mushkëria më e rëndësishme e Tiranës, – dhe një zaptuesi, ia ka dhënë zaptuesit. Një gjyqtar tjetër, ka bërë të njëjtën gjë me një çerdhe dhe ne nuk lirojmë dot territorin e çerdhes. Po presim 7 vjet të zgjidhim çështjen e Kopshtit Botanik, e kështu me radhë. Kur të shkruhet një ditë historia e këtij qyteti, do të kujtohen edhe partiçkat, por edhe gjyqtarët, edhe ata që e penguan në mënyrë makabre zhvillimin e këtij qyteti”, tha Veliaj.
Në zonën ku po ndërtohen banesat e reja në Kombinat, janë parashikuar objekte banimi me 6 dhe 8 kate, për banorët e prekur nga tërmeti i 2019, të cilëve, banesat u janë shpallur të pabanueshme nga ekspertizat, si dhe objekte Administrative dhe Sociale. Zona do të ketë sheshe urbane ndërthurur me banesa, pedonale dhe rrugë për biçikleta. Ndërtimi i banesave do të jetë gërshetuar edhe me ndërtimin e objekteve arsimore.





