Për herë të parë, seanca për miratimin e qeverisë dhe programit politik zgjati vetëm 25 minuta dhe asnjë deputet nuk arriti të diskutonte për aktin më të rëndësishëm të parlamentit. As vetë kryeministri nuk e përfundoi prezantimin e programit.
Seanca e një dite më parë, nisi në orën 10:00 me fjalën e kryeministrit Edi Rama për prezantimin e programit të qeverisë deri në vitin 2029.
Por për shkak të kaosit të krijuar nga opozita, mazhoranca kërkoi të kalohej në votim duke e mbyllur seancën pas 25 minutash.
Deputetja e PS-së në qarkun e Vlorës, Erjona Ismaili, në një lidhje të drejtpërdrejtë në edicionin qendror të lajmeve në Vizion Plus me moderatoren Pranvera Borakaj, u shpreh e zhgënjyer për mënyrën si u zhvillua seanca e parë parlamentare, duke theksuar se qytetarëve iu mohua një debat i nevojshëm për programin qeverisës. Ismaili u ndal edhe te pritshmëritë për zhvillimin e Vlorës dhe zgjedhjet e parakohshme në bashkinë e këtij qyteti.
Intervista e plotë
Borakaj: Ju u zgjodhët deputete për herë të parë më 11 maj dhe dje duhet të ishte seanca e parë që duhet të flisnit në Parlament. Si e vlerësoni seancën e djeshme dhe si u ndjetë ju personalisht?
Ismaili: Nuk ka se si deputeti i ri të mos ndiejë emocione në një seancë aq të rëndësishme si ajo e djeshmja, kjo vjen së pari prej një përgjegjësie dhe përgjegjshmërie që ky rol dhe kjo detyrë të jep, po aq sa natyrshëm të vjen edhe prej mjedisit ku 140 deputetë të zgjedhur në mënyrë demokratike do duhet që të diskutonin për të mbështetur ose jo programin qeverisës. Ndihem e zhgënjyer dhe e keqardhur për mënyrën se si janë zhvilluar ngjarjet, duke qenë se kam menduar se të tilla shfaqje do duhet t’i kishim lënë dekada pas, por jo. Nga ana tjetër jam ndjerë e keqardhur që qytetarëve u është privuar e drejta për tu informuar edhe për të ndjekur një debat me argumente dhe kundërargumente për të ardhmen e tyre në këto 4 vite duke qenë se PS do të shpaloste programin e vet qeverisës.
Borakaj: Ju vini nga një bastion i PS siç është Vlora. Çfarë prisni ju nga qeveria që të realizojë në katër vitet e ardhshme. Cila do të ishte çështja më e rëndësishme për ju që duhet të marrë zgjidhje?
Ismaili: Jo vetëm për Vlorën, por edhe më gjerë PS ka treguar mbështetje dhe unë mendoj dhe kemi parë në programin qeverisës që kjo mbështetje dhe këto projekte ambicioze do të vazhdojnë. Vlora vetëm sa është gërvishtur dhe nuk jam aspak dyshuese dhe nuk e ekzagjeroj fare nëse them që të gjitha projektet ambicioze të zhvilluara dhe të përfunduara deri më sot në Vlorë, deri në një moment të caktuar derisa kanë përfunduar janë konsideruar si të pamundura për tu bërë. Personalisht do të jem shumë aktive në qarkun e Vlorës për të lobuar dhe konkurruar me kolegët e qarqeve të tjera për të sjellë në Vlorë sa më shumë projekte. Kjo nuk është një punë që bëhet vetëm, përkundrazi me të gjithë kolegët e tjerë të qarkut Vlorë.
Borakaj: Bashkia e Vlorës pritet që të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Ku duhet të fokusohet fushata e kandidatit të PS-së në këtë qytet? Cilat janë problemet që kërkojnë zgjidhje urgjente dhe a keni ju një emër për kandidatin potencial që do të jetë në këtë garë?
Ismaili: Personalisht nuk kam një emër. Ajo që unë mendoj se është evidentuar nga kryeministri por edhe nga kolegët, konsiston në një nevojë emergjente për të bërë një riorganizim për plane afatmesme dhe afatgjata në bashkinë e Vlorës por pa lënë mënjanë edhe ndërhyrjet emergjente. Jetojmë në një kohë ku burimet njerëzore janë shumë të rëndësishme dhe mendoj se janë ato të cilat konsistojnë nëse një menaxher i mirë i bashkisë do të jetë i suksesshëm apo jo. Mendoj se kandidati që do të jetë për kryetar bashkie duhet të ketë parasysh që të ushtrojë funksionin e vet me integritet, profesionalizëm, të rrisë transaperencën dhe bashkëpunimin me të gjitha institucionet lokale. Të jetë një nikoqir i mirë në bërjen e punëve të përditshme që qyteti ka nevojë.





