Teatri Kombëtar çeli siparin e shfaqjeve me një premiere që nuk synon vetëm të argëtojë, por edhe të trazojë ndërgjegjen qytetare.
Komedia satirë-kabare “24 orë nga jeta e një votuesi” erdhi për herë të parë për publikun të martën në mbrëmje, duke sjellë në skenë një pasqyrë të mprehtë të realitetit shqiptar, mes humorit, ironisë dhe reflektimit.
Nën regjinë e Driada Dervishit, vepra ndërton një rrëfim që shtrihet përtej një dite të vetme, një 24-orësh që simbolizon rreth 35 vite tranzicion shqiptar. Që në minutat e para, publiku përballet me pyetjen thelbësore. Çfarë peshe ka vota dhe si kthehet ajo, shpesh, në një zakon pa reflektim?
“Vjen si një 24-orësh sprint, por ku përfshihen ndoshta 35 vite. Është një ditë që përngjan me shumë ditë të bashkëqytetarëve tanë. Temat provokojnë dhe do të doja që secili të shohë gabimet e së përditshmes edhe te vetja”, tha Dervishi.
Humori i kësaj shfaqje nuk është i lehtë apo sipërfaqësor. Personazhet kalojnë nga një rol në tjetrin, duke sjellë situata që duken të njohura për këdo që ndjek përditshmërinë shqiptare, bisedat e kafesë, raporti me pushtetin, zhgënjimi dhe shpresa e përsëritur.
Një nga rolet që spikat është ai i Zamira Kitës, e cila me ngjyresat karakteriale e afron edhe më shumë publikun me historinë në skenë.
“Roli më përshtatet shumë, është një grua korçare, kështu që batutat vijnë natyrshëm. Do të qeshin, do të kënaqen, por mbi të gjitha do t’i vënë gishtin kokës”, tha Kita.
“24 orë nga jeta e një votuesi” nuk kërkon duartrokitje të çastit, por një mendim që të shoqëron edhe pas daljes nga salla. Shfaqja do të vijojë të luhet për publikun deri më 18 janar, çdo mbrëmje në orën 20:00, në skenën e Teatrit Kombëtar pranë ArTurbinës.





