Rreth 200 persona paraqiten çdo ditë në Shërbimin e Urgjencës në Spitalin Universitar të Traumës. Sipas Shefit të Shërbimit Agustin Suma, rastet më problematike janë politraumat.
“Mesatarisht në Shërbimin e Urgjencës së Traumës paraqiten rreth 200 persona në ditë. Gjysma e tyre kanë dëmtime të vogla, jo dëmtime madhore, pra janë kode jeshile. Pjesa tjetër janë kode të verdha dhe të kuqe, me rrezikshmëri maksimale, të cilët kalojnë në shock room. Nga kodet e verdha dhe të kuqe, gjithmonë më problematiket janë politraumat”, tha Dr. Agustin Suma, shefi shërbimit të urgjences në spitalin Universitar të Traumes
Gjatë sezonit veror, numri i aksidenteve dhe traumave të shkaktuara prej tyre shënon rritje. Në Urgjencën e Traumës janë shtuar edhe rastet e shtetasve të huaj të përfshirë në aksidente.
“Rritet numri i njerëzve, rritet qarkullimi dhe njerëzit qëndrojnë deri në orët e vona. Fluksi është shumë i madh, sidomos në sezonin e verës. Sivjet kemi dyfishin e rasteve krahasuar me vitin e kaluar, deri në këto momente, sa i takon personave të traumatizuar me nënshtetësi të huaj”, shtoi Suma.
Shtimi i aksidenteve të rënda gjatë verës shoqërohet edhe me rritje të nevojës për gjak.
“Gjatë stinës së verës, për shkak të lëvizjes së qytetarëve, shtimit të numrit të pushuesve që vijnë edhe nga jashtë dhe rritjes së numrit të aksidenteve, shtohen edhe nevojat për gjak, sidomos për rastet e aksidenteve të rënda që kanë nevojë për shumë njësi. Paralelisht me këtë, numri i dhuruesve pëson rënie. Para se të shkoni për pushime, nëse ndiheni mirë, kaloni pranë Qendrës së Transfuzionit të Gjakut për të bërë këtë akt të thjeshtë, por që shpëton jetë”, tha Riana Gjeta, mjeke transfuziologe.
Mjekët japin disa këshilla për drejtuesit e mjeteve dhe qytetarët, me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe traumave.
“Do të kërkoja mirëkuptim të madh nga drejtuesit e mjeteve. Në momentin që shohin një ambulancë, duhet t’i krijojnë mundësinë që të kalojë dhe të mos pengojnë korsitë e emergjencës. Zero alkool, qoftë për drejtuesit e automjeteve, motomjeteve apo edhe biçikletave. Bëni shumë kujdes me fëmijët, sidomos me kokën. Traumat e kokës te fëmijët janë shumë problematike. Sigurojeni fëmijën, qoftë në makinë apo në karrocë. Edhe traumat jo shumë të mëdha mund të shkaktojnë problematika me të folurën, dëgjimin dhe zhvillimin psikosocial”, tha doktor Agustin Suma.
Sipas të dhënave të INSTAT, gjatë periudhës janar-qershor 2026, numri i aksidenteve rrugore në vend është rritur me 6.8% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.





