2 të prekur me koronavirus në Shqipëri/ Zv.ministrja tregon si bëhet kurimi i pacientëve

Zv. ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli siguroi se dy personat që u konfirmuan me koronavirus janë në gjendje të mirë shëndetësore.
E ftuar në “Vizion Plus”, Rakacolli u shpreh se personat me të cilët të prekurit kanë pasur kontakte iu janë marrë mostrat përkatëse të cilat janë në proces. Mirëpo, shtoi se ende nuk kanë dalë analizat.
“Këta persona janë mirë. Këta persona kanë lëvizur por nuk do të thotë që në të gjitha vendet ku kanë shkaktuar kanë transmetuar virusin sepse që të transmetosh virusin duhet të ketë disa kushte të caktuara. Janë kontaktuar kontaktet e afërta të tyre dhe iu janë marrë mostrat këtyre kontakteve që mbrëmë.”
Zv.ministrja tha me plot bindje se Shqipëria i ka të gjitha kapacitete për të përballuar një fluks të lartë rastesh, me argumentin se ky virus e gjeti vendin të parapërgatitur.
“E them me bindje që po, sepse është një gjë që në e kemi menduar. Ardhja në Shqipëri dy muaj pas epidemisë në Kinë, na dha koha që të pregatiteshim, duke përfituar edhe nga masat që kanë marrë vendet e tjera rreth nesh. Shqipëria i ka të gjitha kapacitetet për ta përballuar këtë sfidë. Personi shëndetësor është i aftë ta përballojë.”
E pyetur se me çfarë po trajtohen pacientët e infektuar, Rakacolli u shpreh se kurimi po bëhet me mjekim simptomatik, në mungesë të një medikamenti specifik.
“Përderisa nuk kemi medikament që të veprojë specifikisht kundër koronavirusit, kurimi bëhet me ato aparate që në mjekësi quhen simptomatik. Pra ato preparate që ulin temperaturën, preparate te cilat ulin inflamacionin. Mjekim specifik nuk ka. Disa vende kanë tentuar disa medikamente anti virale, të cilat ne fatmirësisht i kemi.”




