Kryetari i Parlamentit, Gramoz Ruçi i ka shkruar një letër homologut grek, Kostas Tassoulas për ta uruar për 199-vjetorin e Pavarësisë së Greqisë. Në letër, Ruçi e konsideron Greqinë një vend mik të Shqipërisë. Ai falenderon edhe votën e dhënë nga pala greke pro hapjes së negociatave për vendin tonë.

 

“Greqia ka qenë dhe do të mbetet një vend fqinj, mik dhe partner i ngushtë i Shqipërisë, me të cilin na bashkon e kaluara, e tashmja dhe e ardhmja si edhe vlerat e përbashkëta, të krijuara e të konsoliduara në përpjekjet e të dy vendeve tona për zhvillim, mirëqenie, paqe e stabilitet, në rajon e më gjerë.  Shqipëria është mirënjohëse për mbështetjen e vazhdueshme nga Greqia të rrugëtimit të saj europian, i cili u kurorëzua me vendimin e djeshëm të Këshillit të Ministrave të Bashkimit Europian për çeljen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Gjej rastin të falendëroj edhe njëherë për këtë mbështetje Parlamentin dhe Qeverinë e Greqisë si edhe Ju personalisht.”

 

Kryeparlamentari Ruçi përmend edhe faktin se ky përvjetor pavarësie e gjen Greqinë, por jo vetëm, në ditë të vështira prej COVID-19. Megjithatë, ai shprehet besimplotë se kjo situatë do të kalojë.

 

“Emigrantët shqiptarë në Greqi dhe minoriteti grek në Shqipëri janë ura miqësie midis të dy vendeve tona. Dita e Pavarësisë së Greqisë festohet në një kohë kur vendet dhe qytetarët tanë si edhe të vendeve të tjera të botës po luftojnë për mbrojtjen e jetës kundër një armiku të rrezikshëm që kërcënon njerëzimin, koronavirusit Covid-19. Duke shprehur besimin dhe vendosmërinë se njerëzimi do ta fitojë këtë luftë të vështirë, përsëris edhe njëherë urimet e mia më të ngrohta për Ju, Parlamentin  e Greqisë dhe popullin grek.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *