Subscribe

19 marrëveshje dhe memorandume u nënshkruan mes Kosovës dhe Shqipërisë në mbyllje të mbledhjes së tetë të dy qeverive e mbajtur në Prishtinë.

 

Ministrat e Energjisë dhe Infrastrukturës prezantuan një nga projektet më të rëndësishme në infrastrukturë, ndërtimin e linjës hekurudhore Durrës-Prishtinë.

 

Fondi për fazen e studimit te ketij projekti është 1 milion e 980 mijë euro, ku Shqipëria do të mbulojë 51% të këtij financimi ndërsa pjesën tjetër do ta paguajë Kosova.

 

Dy kabinetet qeveritare u dakorësuan për heqjen e kufijve mes dy vendeve gjatë ditëve të festave dhe në fundjavë në periudhën 1 qershor-30 shtator.

 

Me këtë marrëveshje shqiptarët nga të dyja anët e kufirit do të kalojnë pa u regjistruar në kufi gjatë kësaj periudhe katër mujore, në funksion të shmangies së rradhëve të gjata veçmas gjatë sezonit turistik.

 

Marrëveshja tjetër ishte për pranimin e studenteve në universitetet e dy vendeve. U ra dakord që të unifikohen të gjitha proceduarat që lidhen me aplikimin apo regjistrimin e studenteve.

 

Ministrat e Brendshëm të Shqipërisë dhe Kosovës, nënshkruan marrëveshje për shkëmbimin e të dhënave në kohë reale për gjendjen civile.

 

Nëse një shtetas i Kosovës martohet në Shqipëri dhe anasjelltas e dhëna do të referohet menjëherë në gjendjen civile te vendeve të origjinës.

 

Shkëmbimi i të dhënave për realizimin e të drejtës për pension është bashkëpunimi i konkretizuar sot mes ministrave të Financave.

 

Dy vendet angazhohen drejt bashkimit doganor. Për ta realizuar në një periudhë sa më të shkurtër Tirana dhe Prishtina zyrtare u dakordësuan për ngritjen e një grupi pune që do të përgatisë të gjithë planin.

 

Kryeministrat Edi Rama dhe Albin Kurti firmosën marrëveshjen për bashkëfinancimin e “Enciklopedisë Shqiptare”, ku për shkrimin e saj do të angazhohen dy Akademitë e Shkencave.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *