Këto janë pamjet nga aksioni i RENEA-s një ditë më parë në Orosh që përfundoi me prangosjen e dy personave me rrezikshmëri të lartë shoqërore pas 12 orësh thirrje për dorëzim nga efektivët.
Në banesën ku ndodheshin Hamza Erzen Uka dhe Julian Cumraku u gjetën 5 armë zjarri, të vendosura në mur, bashkë me një flamur me logon e ISIS, municion luftarak, granata dore, kapsolla detonatore dhe fitil zjarrpërcjellës.
Uka dhe Çumraku nuk iu bindën thirrjeve për dorëzim nga policia, madje edhe qëlluan me armë në drejtim të tyre.
Ishin fillimisht shërbimet e komisariatit të policisë së Pukës, që gjatë kontrollit të territorit në fshatin Orosh, konstatuan një person i cili, sapo ka parë efektivët është larguar me shpejtësi duke u futur në një banesë të braktisur. Edhe pse ata i kanë kërkuar që të dilte nga banesa, ai nuk i është bindur thirrjes së policisë dhe ka kërcënuar efektivët.
Ndodhur në këtë situatë, bazuar edhe në informacionet e siguruara më parë për rrezikshmërinë e tij, efektivët rrethuan banesën dhe kërkuan ndërhyrjen e forcave policore të specializuara.
Në vendngjarje shkuan Forcat Speciale RENEA, të cilat morën në kontroll perimetrin e jashtëm të banesës që mbahej nga forcat e Komisariatit të Policisë Pukë dhe forcat “Shqiponja” Shkodër.
Në momentin që specialet e RENEA-s i kanë bërë thirrje personit të dalë, nga brenda banesës është qëlluar me armë në drejtim të uniformave blu.
Më në fund pas 12 orësh në rrethim, dhe pas negociatave me të afërmit e tyre, të dy personat që ndodheshin në brendësi të banesës u dorëzuan.
Në momentin e vetëdorëzimit, Hamza Uka kishte një plagë në kofshën e djathtë ndaj u transportua me ambulancë për në Spitalin e Shkodrës.
35-vjeçari Uka u arrestua për veprën penale “Nxitja e urrejtjes dhe grindjeve”, ndërsa 34-vjeçari Julian Çumraku me akuzën e vjedhjes dhe kanosjes.
Çumraku dhe Uka ishin prej kohësh nën vëzhgimin e Antiterrorit. Uka, ish-pjesëtar i Forcave paqeruajtëse të Shqipërisë në Irak u dënua në vitin 2020 nën akuzën e nxitjes terroriste. Në vitin 2015, ai u arrestua për përgatitjen e fëmijëve për t’u bashkuar me ISIS. Ndërsa Julian Çumraku, ka qenë emigrant në Francë, me precedentë të mëparshëm penal.





