Qeveria e Kosovës ka marrë vendim të ndajë nga 100 euro për pensionistët dhe po ashtu edhe për fëmijët nga 0 deri në 16 vjeç.
Lajmin e bëri të ditur kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Financave Hekuran Murati në një konferencë për mediat.
“Të dashur fëmijë, të gjithë ju që jeni të moshës nga 0 deri në 16 vjeç dhe që jeni përfitues të shtesave mujore për fëmijë, do t’i përfitoni edhe sivjet nga 100 euro secili. Kjo nuk është vetëm një dhuratë e fundvitit nga shteti juaj, por është një investim në mirëqenien e të gjithë fëmijëve pa dallim,” deklaroi Kurti.
Kryeministri theksoi se vendimi është rezultat i rritjes ekonomike të Kosovës.
“Sikurse tashmë e kemi bërë traditë, që sa herë ka buxhet të mjaftueshëm dhe ekonomia rritet përtej projeksioneve, në fund të vitit ndajmë mbështetje shtesë të njëhershme nga 100 euro, apo siç disa kanë filluar ta quajnë ‘pensionin e 13-të,’ për të gjithë pensionmarrësit që kualifikohen,” tha ai.
Kjo është hera e pestë gjatë mandatit të kryeministrit Albin Kurti që qeveria e Kosovës ofron mbështetje për pensionistët. /vizionplus.tv




